Transmetuar më 05-07-2022, 11:21

Basketbollistja amerikane Brittney Griner, ylli i Phoenix Mercury në WNBA, e arrestuar në Rusi që nga shkurti me akuza për trafik droge, iu drejtua presidentit amerikan, Joe Biden, duke i thënë se kishte frikë se nuk do të mund të kthehej më në shtëpi. Ajo kërkoi nga kreu i Shtëpisë së Bardhë që të mos harrohej së bashku me të burgosurit e tjerë amerikanë në Rusi.

"Ndërsa kaloj ditët në një burg rus, e vetme me mendimet e mia dhe pa mbrojtjen e familjes, miqve, fanellës olimpike apo ndonjë arritjeje sportive, kam frikë se mos do mbetem këtu përgjithmonë, – shkroi Griner.

– Ju lutemi bëni gjithçka që është e mundur për të na kthyer në shtëpi. Kam votuar për herë të parë më 2020 dhe për ty. Unë besoj ende te ty president Biden. Kam ende aq shumë të mira për të bërë me lirinë time, ndaj më ndihmo të dal nga ky ferr. Më mungon shumë familja ime! Më mungojnë shoqet e skuadrës! Do t’iu jem mirënjohëse për gjithçka që mund të bëni për të më sjellë në shtëpi”.

Letra e Griner iu dorëzua Shtëpisë së Bardhë në Ditën e Pavarësisë, e cila sipas basketbollistes ka një kuptim krejtësisht të ri për të këtë vit: "Më 4 korrik, familja jonë normalisht nderon ata që luftuan për lirinë tonë, siç është babai im, një veteran i luftës së Vietnamit".

31-vjeçarja, e cila kishte udhëtuar në Rusi për të luajtur në Ekaterinburg, përpara se të rifillonte sezoni amerikan, u arrestua në aeroportin e Moskës në shkurt, pasi në bagazhet e saj u gjet vaj kanabisi. Arrestimi i saj ndodhi disa ditë përpara se presidenti rus Vladimir Putin të dërgonte trupat ushtarake në Ukrainë, duke sfiduar paralajmërimet e SHBA-së për pasojat e një pushtimi.

Autoritetet amerikane fillimisht mbajtën një profil të ulët për rastin, i cili nuk u zbulua për publikun deri më 5 mars. Por në sfondin e përkeqësimit gradual të marrëdhënieve, Uashingtoni tani pretendon se Rusia ka "arrestuar padrejtësisht" yllin e basketbollit dhe çështja ka përfunduar në duart e të dërguarit special të SHBA për pengjet. Në Rusi, më pak se 1% e rasteve të arrestimeve për drogë zgjidhen me lirimin e të akuzuarve.