Transmetuar më 25-06-2022, 19:31

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka denoncuar Kryeministrit Edi Rama si të përfshirë në skandale e afera korruptive. Në një postim në Facebook, Berisha ka publikuar lajmin ku denoncohet fakti që qeveria i ka dhënë biznesmenit Pëllumb Salillari, tenderin me vlerë prej 11.4 milionë euro, pa garë, për mirëmbajtjen e rrugëve të jugut.

Berisha e quan akt korruptiv shpalljen e fituesit si ofertues i vetëm dhe me 99,99% të vlerës së fondit limit, me një diferencë prej rreth vetëm 800 euro nga pragu.

Denoncimi i Berishës:

"Ai ishte ndërtuesi i rrugëve me çarje të mëdha në aksin Çorovodë-Përmet, e rindërtuar po nga ‘Salillari’, ku rruga e përfunduar pak kohë ka dëmtime serioze të bazamentit, siç shihet nga pamjet. E njëjta gjë është në aksin, që mirëmbahet pikërisht nga ‘Salillari’ Vlorë-Orikum, i cili ka pësuar dëmtime të shumta në kilometrin e 7-të të tij dhe janë vetë banorët që shprehin shqetësimin".

"Por Salillari duket se ka aksione të përbashkëta me Ramën, i cili personalisht dhe direkt i bënë avokatin e tij ndaj dhe ai vazhdon të fitoj tendera me 99.9% si ofertues i vetëm. Kësaj i thonë vjedhje dhe vetëm vjedhje me firmë qeveritare.

Këtu me poshtë keni hetimin e gazetarit për tenderin e fundit të Fitimtar Salillarit të Edvinit".

SKANDALI, qeveria i jep Salillarit 11,4 mln euro tender pa garë.

Skandali i radhës i ARRSH-së do t’u kushtojë 11,4 milionë euro xhepave të qytetarëve shqiptarë në këtë kohë krize. Bëhet fjalë për tenderin e fituar pa garë nga SALILLARI për mirëmbajtjen e akseve kryesore të Rajonit Jugor.

Në tenderin e ARRSH me vlerë 1,4 miliardë lekë, ekuivalent me 11,4 milionë euro, ka marrë pjesë vetëm kompania “Salillari”, e cila ka dhënë një ofertë sa 99,99% e fondit limit, me një diferencë prej rreth vetëm 800 euro nga pragu.

Fillimisht, institucioni i drejtuar nga Evis Berberi e ka përzgjedhur Salillarin si kompani që ka kaluar fazën parakualifikuese dhe i ka dërguar ftesë për të marrë pjesë në fazën e dytë, duke paracaktuar që në fillim pjesëmarrjen me vetëm një ofertues në tender. Kontrata parashikon mirëmbajtjen për 4 vite të 7 akseve rrugore kombëtare, Tepelenë – Gjirokastër – Kakavi, LevanTepelenë, Vlorë- Sarandë, Gjirokastër – Sarandë, By Pass – Levan – Vlorë, 6 Ura e Kranesë – Konispol (Dogana Qafë-Botë), dhe tri lote të rrugës gjysmë të përfunduar Kardhiq – Delvinë.

Në fakt nuk është se ka ndryshuar shumë në mirëmbajtjen e rrugëve të këtij rajoni, pasi kompania “Salillari” kishte edhe kontratën e mëparshme 5-vjeçare.

Megjithëse ajo kontratë shkaktoi polemika të mëdha për shkak të problemeve të shumta që shoqëruan mirëmbajtjen e rrugëve te rajonit të Jugut, ARRSH zhvilloi një tender pa garë duke i dhënë përsëri Salillarit plot 11,4 milionë euro.

Ndërkohë që vlen të theksohet se gjatë raportimit të Komisionit të Prokurimeve Publike në Komisionin e Ligjeve, u evidentua si problem shqetësues fenomeni i tenderëve pa garë që për vitin 2021 kishin kapur vlerën e 333 milionë euro, ose rreth 34% të vlerës totale të tenderëve. Ndërkohë që në rezolutën që do të votohet në Parlament në seancën e ardhshme kërkohet korrigjimi i këtij problemi pasi edhe numri i ankuesve është rritur.