Transmetuar më 22-06-2022, 13:59

Kur u mendua se gjithçka ishte harruar, një video e hedhur rishtas në rrjetet sociale ka vënë përballë akuzave për racizëm një polic gjerman që ofendoi një të ri shqiptar.

Gjithçka nisi pasi 21-vjeçari, Fabjo Sula, postoi në “Tik-tok” një video të filmuar fshehurazi, ku polici e ofendonte, duke i thënë: “Kthehu në vendin tuaj të derrave”

Ngjarja kishte ndodhur vite më parë, më saktësisht në nëntor të vitit 2018, dhe në atë kohë djali e kishte postuar videon në “YouTube”, por nuk pati asnjë reagim për 4 vjet, derisa ai vendosi të postonte një sekuencë të shkurtër në “TikTok”, ku ajo u bë virale brenda një kohe të shkurtër.

I riu ishte ditën e sotme në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live” ku tregoi se çfarë kishte ndodhur para katër vitesh.

“Isha duke ecur në këmbë afër një stacioni policor. Po flisja shqip me familjen dhe del një polic që më thotë “ça do këtu në Gjermani”. Erdhi si polic, jo për kontroll.

Ishin dy polic që pinin cigare, njëri erdhi mu afrua dhe tjetri qëndroi aty ku ishte, nuk u afrua. Ai më tha ‘zhduku nga këtu, çfarë do këtu. Ktheu mbrapsht te vendi jot i derrave’. Që në fillim ishte ky reagim, pa i bërë asgjë. Jam shumë i sigurt që ai nuk e di emrin tim, nuk më mban mend se nuk më ka marrë pasaportë për të kontrolluar.

Në Gjermani na ka ndodhur shpesh me gjermanët që të jenë racist. Ai e vuri re më pas se po e filmoja dhe më tha ‘hiqe atë mut telefoni nga dora’. I thashë se nuk do iki, se kam të drejtë të qëndroj.

Bëra video sepse nuk e kam momentin kur më shtyu, thashë se mos do të gjuaj dhe ta kem me fakte. Kur u them se jam shqiptar, thonë ‘o nga Shqipëria’, nuk kanë një reagim të mirë. Nuk është vetëm për shqiptarët, por edhe për emigrantët e tjerë”, u shpreh Sula.

Ndërsa i pyetur se pse vendosi që ta publikonte pas kaq vitesh në “TikTok”, Fabjo tha:

“Pas kësaj video kam shkuar te komisariati më i afërt e më thanë ke pasaportë shqiptare dhe nuk mund ta denoncosh kolegun tonë. Kam bërë edhe email dhe email është bllokuar, kanë parë videon dhe e kanë bllokuar. E kam edhe me fakte, në gazeta. Nuk e bënë denoncimin. E postova në Youtube dhe nuk kishte reagime, në “TikTok” reaguan.

Vendosa ta publikoj se më kishte ngelur në kokë. E kam dashur Gjermaninë që i vogël dhe u zhgënjeva. Kur nuk më pranuan një denoncim, imagjino nëse do kisha më shumë nevojë.

Doja një lloj drejtësie. Doja që ai polici të dënohej. Të paguaj për atë çfarë më bëri. Kam qenë 18 vjeç. Nga 18 deri në 21 vjeç në Gjermani quhesh minoren. Nuk e kam menduar si dëmshpërblim. Unë kërkoj të drejtën time”.