Transmetuar më 11-06-2022, 19:41

Ka nisur procesi i zgjedhjes së kryetarëve të PS në 61 bashkitë e vendit.

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Elbasan në turin e takimeve në shkallë vendi.

Në Elbasan janë tre kandidatë të përzgjedhur për fazën finale, Ardit Demiri, Ermira Urupi, Agron Lulaj. Ata kanë prezantuar platformat e tyre para Asamblesë së Zgjeruar të Bashkisë Elbasan.

Në fjalën e tij kryeministri theksoi se procesi i ripërtëritjes së Partisë Socialiste është tepër i rëndësishëm.

“Kjo është dita e tre kandidatëve këtu për t’u ballafaquar me ju dhe me komisionin e zgjedhjeve. Dua të shfrytëzoj këtë rast që t’i themi të gjithë atyre që presin që të kenë prezantimet dhe ballafaqimet e tyre të përgatiten seriozisht pasi kjo është një garë e hapur. Nga ana tjetër të gjithë bashkësitë socialiste nëpër qarqe të bëjnë sa më shumë propozime që dhe zgjedhja të jetë shumë e gjerë. Jam shumë i inkurajuar nga ajo që kam parë në distancë dhe sot jam këtu së bashku me deputetët e Elbasanit. Na vjen mirë që na jepet mundësia që të marrim pjesë në një proces si ky. Një proces që synon të ripërtërijë me një mekanizëm të ri strukturën e Partisë Socialiste”

“Kudo ku kemi kandidatë cilësor do të kemi një bashkëdrejtim të partisë. Kjo është një garë e hapur, kemi kandidatë që meritojnë mbështetje për të kontribuuar në parti. Mos ta quajmë kryetarin e partisë një figurë babe. Ju uroj suksese kandidatëve. Më vjen mirë t’ja lë foltoren Blendit i cili drejton komisionin e posaccëm të përbërë nga sekretarët e partisë”, u shpreh Rama.