Forum i Hapur me Presidentin e Grupit BALFIN, Samir Mane, në universitetin Epoka
Presidenti i Grupit BALFIN, Samir Mane, u prit nga mbi 120 studentë dhe stafi i universitetit Epoka në Tiranë, me ftesë të këtij të fundit për të zhvilluar një një Forum të Hapur me temë “Nga Student në Sipërmarrës, Rrugëtimi për të Ndërtuar një Biznes të Suksesshëm”.
Samir Mane ndau përvojën e tij mbi 30 vjeçare në biznes dhe foli për mënyrën se si drejtohet një korporatë e madhe dhe parimet që ndiqen nga Grupi BALFIN në investimet e tij.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit u fokusua në mënyrën se si biznesi mund të bashkëpunojë me sektorin e arsimit për të bashkuar sinergjitë.
“Unë e nisa vetëm në Austri, intuita, rastësia dhe njohjet bënë që jeta të më ndryshonte ndjeshëm. Ka edhe shumë të tjerë nga ju që do t’ia dalin, qoftë vetë, apo me ndihmën e të tjerëve” – iu tha ai studentëve.
Presidenti i Grupit BALFIN inkurajoi të pranishmit të punojnë shumë dhe të synojnë lart.
"Thirrja ime e vetme për ju është që të merrni përsipër rrisqe, të guxoni të jeni sipërmarrës”, – iu drejtua ai studentëve.
"Dua të kundërshtoj opinionin e përgjithshëm që është krijuar se në Shqipëri nuk ka mundësi. Qëndroni gjithmonë vigjilentë. Shqipëria ka shumë mundësi për sipërmarrje pasi është ende një ekonomi me shumë nevoja. Kjo është arsyeja pse ne krijuam programin B4Students, për të mbështetur studentët që kanë ide sipërmarrëse, për t’u dhënë atyre një mbështetje për të hyrë në biznes”, tha Mane.
Samir Mane shprehu vlerësimin e tij për studentët, një numër i konsiderueshëm i të cilëve kanë marrë pjesë në B4Students nëpërmjet programit të Praktikave dhe Punësimit, Klubeve Sociale ose Konkurseve të Biznesit, dhe ftoi të pranishmit të marrin pjesë tek programi i posaçëm i BALFIN për studentët.
Në Forum, fillimet e Presidentit të Grupit BALFIN në biznes, qasja ndaj balancës punë-jetë dhe këshillat e tij personale mbi sipërmarrjen morën interesin më të madh nga studentët e programeve të ndryshme.
“Unë i këshilloj gjithnjë studentët që t’i ndjekin të gjitha ciklet e studimit, pasi në auditorë ju merrni logjikën dhe bazën teorike për të zbatuar me sukses idetë tuaja në realitet, por ndoshta ndonjëherë një vit pushim nga njëri cikël studimesh në tjetrin, mund t’iu ndihmojë që t’i keni idetë më të kthjellëta” – ishte këshilla e Manes për të rinjtë.
Pyetjet e tjera të studentëve u përqendruan te fakti si arriti Grupi BALFIN deri aty ku është sot; cilat janë aftësitë menaxheriale që konsiderohen të rëndësishme dhe që duhet të zotërojnë të sapodiplomuarit për të qenë konkurrues në treg dhe për të menaxhuar projektet e ardhshme; Në cilat fusha apo industri shohin një potencial të ardhshëm në aspektin lokal, rajonal dhe global.
“Në fushën tonë ne shohim për njerëz profesionistë dhe me besueshmëri të lartë, kur të dyja këto janë bashkë, atëhere kjo është më e mira e mundshme” – iu tha Mane studentëve.
Ai u ndal edhe pas takimit duke iu përgjigjur personalisht pyetjeve për të shuar kureshtjen e studentëve.
BALFIN është një nga grupet më të mëdha dhe më të suksesshme të investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë, duke ushtruar aktivitete biznesi në një gamë të gjerë industrish në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare në 8 shtete, duke përfshirë Austrinë, Zvicrën dhe Holandën, me rreth 5.500 punonjës, asete që kapin vlerën e 1.4 miliardë eurove dhe me të ardhura bruto prej 639 milionë euro të regjistruara në vitin 2020.
BALFIN ndjek politika të përgjegjësisë sociale, me qëllim përmirësimin e jetesës së komuniteteve ku operon, dhe është i angazhuar në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd