Transmetuar më 29-05-2022, 12:05

Temperaturat kanë nisur “të prekin të kuqen”, por po "skuqin" edhe faturat e energjisë elektrike, duke shkaktuar hezitim në përdorimin e kondicionerëve.

Këtë vit më shumë se kurrë po kërkojmë mënyra për të ulur temperaturën në shtëpinë tonë, por pa paguar më shumë.

Jani Mitro është inxhinier mekanik dhe konsulent energjetik. Ai sugjeron shtatë mënyra për të siguruar temperatura më të ulëta në një mënyrë më të lirë, por edhe më ekologjike.

Siç shpjegon inxhinieri ekspert, ekzistojnë sisteme aktive dhe pasive për të ndikuar në temperaturën e dhomës. Sistemet aktive kërkojnë djegie të energjisë, ndërsa sistemet pasive nuk kanë nevojë për asnjë mekanizëm.

Tendenca e kohës, pra, është nxitja e përdorimit të sistemeve pasive, veçanërisht në kohë krize energjetike si kjo që po përjetojmë.

Por si arrijmë të kemi një shtëpi të freskët pa ajër të kondicionuar? Jani Mitro na jep shtatë mënyra:

1.Ne duhet të kujdesemi që gjatë ditës t’i kemi grilat e mbyllura, për të reduktuar fluksin e dritës së diellit që ndikon në temperaturën e shtëpisë. Mos harroni se nëse nuk përdorni grilat, muret e brendshme të shtëpisë do të ngrohen së tepërmi duke ruajtur gjatë temperaturat e nxehta të sezonit veror.

2.Gjatë nanatëskur ajri është në temperaturë më të ulët se orët e mesditës, mund të hapim të gjitha dritaret, në mënyrë që të ketë ajrim natyral dhe të depërtueshëm të hapësirës dhe të rinovohet ajri i nxehtë.

3.Gjatë orëve kur dielli është më intensiv, duhet të ulim tendat ose përdorim pjergulla për të bllokuar depërtimin e diellit.

4.Për në ballkon duhet të zgjedhim bimë kacavjerrëse apo të larta, pasi në këtë mënyrë krijohet një barrierë në kontaktin e diellit me materialet e ndërtimit të shtëpisë që ngrohin ajrin e brendshëm të ndërtesës.

5.Ngjyrat e ndezura në muret e jashtme dhe veçanërisht e bardha largojnë rrezet e diellit. Ndaj shmangni ngjyrat e errëta në ballkone.

6.Izolimi, si në fasadat ashtu edhe në çatinë e ndërtesës nëse jeni në shtëpi përdhese ose katet e larta të pallateve, luan një rol të rëndësishëm në sigurimin e kushteve më të mira të temperaturës në ambiente të mbyllura, diçka që është veçanërisht e rëndësishme në rastin e shtëpive të reja të ndërtuara vitet e fundit.

7.Një zgjidhje e domosdoshme mund të jetë edhe lagia e dyshemesë së ballkonit, pasi avullimi i ujit merr me vete nxehtësinë.

Në rast se përdorimi i kondicionerit është imperativ, rekomandohet përdorimi i arsyeshëm i tij dhe jo funksionimi i tij në temperatura shumë të ulëta për shumë orë.

Një faktor shumë i rëndësishëm është të dini se kondicionerët e teknologjisë inverter, por edhe të klasës më të lartë të energjisë kanë një efikasitet më ekonomik. Prandaj, nëse dikush dëshiron të blejë një kondicioner të ri ose ta ndërrojë atë, do të ishte mirë t’i drejtoheni një specialisti ose të bëni një kërkim për veçoritë e pajisjes që do të blini. Dhe këtu mos e harroni fjalën e urtë: Nuk jam i pasur për të blerë gjëra të lira që shpesh na kushtojnë duke i blerë dy herë. /noa.al