
TIRANË- Ndahet nga jeta aktori i dashur shqiptar Enea Zhegu.
Djaloshi që luajti personazhin e famshëm në filmin "Tomka dhe shokët e tij", u shua në moshën 57 vjeç.
Enea, i dashur për të gjithë miqtë e shokët e tij, i admiruar nga artdashësit shqiptarë mbylli sytë përgjithmonë pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.
Enea Zhegu luajti në disa filma dhe ishte më i kërkuari nga regjisorët e kinostudios "Shqipëria e Re".
Roli i tij i paharruar ishte ‘Tomka dhe shokët e tij’.
Aktori Ledio Lako, me anë të një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar ndarjen nga jeta të Zhegut.
"Lamtumire miku im. Aktor që të patën zili breza të tërë aktorësh! U rritëm me rolet e tua. U prehsh ne paqe Enea Zhegu! (Tomka)".
Ilir Çumani ka shkruar në një postim në Facebook se sëmundja e mundonte aktorin prej vitesh me radhë.
“Sa e trishtë është kjo ikja jote prej turravrapi në këtë fundpranvere o Artist i lindur, Enea Zhegu…! E luajte edhe dramën e ikjes pa kthim, njësoj si tek personazhet e roleve në filmat e tu aq të mrekullueshëm, kaq mbresëlënës, të cilat do të mbeten përgjithmonë të gjalla në kujtesën e publikut, të paharruara për të gjitha brezat.
Ti ike duke bashkëudhëtuar në heshtje për vite me radhë, në një betejë me dhimbjen që të shkaktonte sëmundja tekanjoze e kapricioze, por asnjëherë dhe në asnjë çast nuk e lëshove veten, sepse jetove si qëndrestar stoik në përballje me atë flamë që pak nga pak kafshonte pjesë nga trupi yt vital…!
Shpesh i padrejtë dhe i pamëshirë tregohet fati me njeriun, por ti i shpërfille të dyja këto, sepse dite të ishe sfidant okatar dhe jetove si një artist i pazakontë deri sa dhe frymën e fundit… Por, e trishtë gjithsesi mbetet kjo ikja jote për të gjithë të afërmit, miqtë dhe adhuruesit e tu që i kishe pafund, kudo nëpër Shqipëri…. Lamtumirë Ena…. Pusho në Paqen tënde qetësinë e merituar…! R.I.P”, shkruan ai.
Enea Zhegu u lind më 9 korrik 1964 dhe mbaroi studimet në Institutin e Lartë të Arteve për aktor.
Ai e filloi veprimtarinë e tij kinematografike në filmin shqiptar që në moshë 12-vjeçare, duke u angazhuar nga regjisori i mirënjohur Dhimiter Anagnosti, për të interpretuar në filmin “Lulëkuqet mbi mure” në vitin 1976, ku interpretoi me shumë sukses rolin e Lelos.
Një vit më pas, 1977 spikati me rolin e Zigurit në filmin “Njeriu me top” dhe veçanërisht shkëlqeu me atë të Tomkës në “Tomka dhe shokët e tij”, rol i cili e bëri edhe më shumë të njohur dhe e identifikonte tek artdashësit.
Në vitin 1986 interpretoi përsëri një rol kryesor në filmin “Një jetë më shumë”, i cili do të ishte dhe roli i tij i fundit dhe shkëputja nga kinematografia shqiptare.
Shpirti i lirë dhe paksa rebel që ishte krijuar pak e nga pak brenda tij, nisi të nxjerrë krye më shumë në vitet e gjimnazit. Aq sa emri Enea Zhegu do të regjistrohej pothuajse në regjistrat e të gjitha gjimnazeve të Tiranës.
Sapo përjashtohej nga njëra shkollë, e dërgonin tek një tjetër, derisa do të përfundonte në shkollën e natës. Shumëkush vazhdonte ta identifikonte si Tomkën djaloshi plangprishës.
Atje në Akademi, do të ndodhte mrekullia që nuk do të zgjaste shumë. Sepse që në vitin e parë, Enea Zhegu do të përjashtohej sërish nga shkolla për “sjellje të këqija”. Dënimi i parë që mori ishte vetëm për një vit shkollor. Ndërsa në vitin e dytë, një tjetër dënim që do të merrte, po për sjellje jo të mirë, do ta përjashtonte përfundimisht.
Në vitin 1989 e mbyllin për 15 ditë në psikiatri e më pas qëndron i mbyllur për herë të dytë rreth një muaj. Në vitin 1990 emigron në Greqi e pas disa viteve në Itali.
Në ditët e para të kthimit në Tiranë, do të shkonte në Akademinë e Arteve sepse donte që ta niste aty ku edhe u shkëput vite të shkuara.
Megjithatë në vitin 2013, regjisori Besnik Bisha e afron në stafin e serialit “Millenium”, duke luajtur një rol kryesor së bashku me aktorin e mirënjohur Ndriçim Xhepa.