Transmetuar më 18-05-2022, 16:50

Wang Yi: 50 vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve Kinë-Japoni, një mundësi për të konsoliduar themelet politike të marrëdhënieve

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi në një takim virtual me homologun japonez Yoshimasa Hayashioli diskutuan për zhvillimin e marrëdhënieve kino-japoneze.

Duke vënë në dukje se ky vit shënon 50-vjetorin e normalizimit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Japonisë, ai bëri thirrje për përpjekje për ta shfrytëzuar këtë rast për të konsoliduar themelet politike të marrëdhënieve dypalëshe.

“Është e rëndësishme t’u përmbahemi parimeve dhe frymës së katër dokumenteve politike kino-japoneze dhe t’i zbatojmë këto marrëveshje kaq të rëndësishme, sepse të dy vendet duhet të jenë partnere e jo të përbëjnë kërcënim për njëra-tjetrën", theksoi ai.

Të dyja palët duhet të shfrytëzojnë potencialin e bashkëpunimit dhe të forcojnë bashkërendimin e bashkëpunimin në katër shtylla kryesore, ekonominë digjitale, qeverisjen e gjelbër, lëshimin e ulët të karbonit dhe ndryshimin e klimës, shtoi kryediplomati kinez.

Nga ana e tij, Hayashi tha se Japonia dhe Kina ndajnë interesa të gjerë të përbashkët dhe kanë potencial të madh e perspektiva të gjera bashkëpunimi.

Tokioja është e gatshme të punojë me Pekinin për t’i qëndruar besnike aspiratës fillestare të normalizimit të marrëdhënieve diplomatike, të mbajë komunikim të sinqertë, të pakësojë keqkuptimet e gjykimet e gabuara, të trajtojë siç duhet çështjet e ndjeshme dhe të rrisë besimin e ndërsjellë politik, shtoi ai.

Në lidhje me zhvillimet e fundit, Wang Yi tha se Japonia dhe Shtetet e Bashkuara janë vende aleate, ndërsa Kina dhe Japonia kanë një traktat paqeje dhe miqësie.

Japonia duhet të punojë për paqen e qëndrueshmërinë rajonale, të veprojë me kujdes dhe të mos ndjekë rrugën e përfitimeve për veten duke dëmtuar vendet fqinje, theksoi ai.

Të dy palët shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi çështjet rajonale e ndërkombëtare me interes të përbashkët dhe pranuan që të vijojnë komunikimin.