Transmetuar më 18-05-2022, 08:04

ITALI- Asgjësohet një rrjet i trafikut të drogës në Itali. 30 persona janë vënë në pranga, mes tyre edhe 1 shqiptar.

Grupi drejtohej nga një 64-vjeçar me origjinë siciliane dhe bashkëshortja e tij. Banda u godit kur po tentonte të trafikonte armë dhe drogë e destinuar për kriminelët. Njëra nga armët e kapura është përdorur në vrasjen e sipërmarrësit Donato Carbone, në vitin 2019. 30 personat u arrestuan nga karabinierët në provinca të ndryshme të Lombardisë, me akuza të ndryshme për trafik dhe mbajtje pa leje të armëve, trafik droge, grabitje, zhvatje, vjedhje dhe pastrim parash.

Sipas policisë, bëhet fjalë për një grup të madh kriminal italian që ka krijuar një rrjet trafiku droge dhe armësh, që ka lidhje me kriminelë të fuqishëm.

Grupi drejtohej nga një 64-vjeçar me origjinë siciliane, me banim në Cologno Monzese, i cili së bashku me gruan e tij kryenin grabitje, zhvatje dhe mashtrime, shkruajnë mediat italiane.

Ata pastronin para të cilat më pas riinvestoheshin në furnizimin me armë klandestine dhe në importimin nga jashtë të sasive të mëdha të lëndëve narkotike, të cilat tregtoheshin në të gjithë Lombardinë. Nga viti 2017 vit në të cilin kanë nisur hetimet, deri në dhjetor 2021 janë sekuestruar 58 kilogramë lëndë narkotike përfshirë hashash dhe kokainë, 4 pistoleta të kalibrave të ndryshëm dhe një automatik Skorpion me silenciator.