Transmetuar më 15-05-2022, 19:26

Ndarja e prindërve kur Naimja ishte vetëm 6 vjeçe ishte vetëm nisja e vështirësive për të. Në fillim gjithçka shkonte mirë nën përkujdesjen e të atit derisa 7 muaj pas divorcit, vendosi të martohej me një grua tjetër. Në rrëfimin e Naimes në “Ka Një Mesazh Për Ty”, marrëdhënia me njerkën e saj ka si fjalë kyçe dhunën. Veprime çnjerëzore ndaj saj dhe vëllait më të vogël të Naimes të cilët frika i pengonte të mos i tregonin asgjë babait. Këtë histori të patreguar, Naimja e ndan në programin “E diela shqiptare” në Tv Klan.

Naime: Pas 7 muajsh vendosi të martohet me një grua. Në fakt, që atëherë, mendova se jeta mori fund, s’kishte më jetë për ne.

Ardit Gjebrea: Pse Naime?

Naime: S’e di, ajo nuk sillej mirë me ne, por kishim edhe dhunë psikologjike, fizike. Nuk na donte.

Ardit Gjebrea: Ju rrihte?

Naime: Çdo herë. Më shumë unë sepse vëllai ishte më i vogël dhe mundohesha të merrja fajet, më vinte keq se ishte më i vogël.

Ardit Gjebrea: Po çfarë fajesh duhej të merrje përsipër që të të rrihte ajo?

Naime: Nuk e di, thjesht fajësonte mamin që s’na kishte marrë, pse na kishte lënë aty. Mua nuk më dashur asnjëherë, gjithmonë më ka urryer, më shihte si armike, si shkaktare, asnjëherë s’më ka dashur.

Ardit Gjebrea: Por kur babi shkonte dhe punonte, çfarë bënte ajo?

Naime: Babi nuk ka ditur asnjëherë pjesën se çfarë na bënte ajo në shtëpi sepse nuk na shihte.

Ardit Gjebrea: Por pse nuk i tregoje babit?

Naime: Nuk i tregoja babit sepse nesër kur ikte përsëri në punë, ne kishim më shumë dhunë sesa…ishte çdo gjë më keq, ndaj vendosëm që më mirë të mos tregojmë asgjë sesa të bëhej diçka më e madhe.

Ardit Gjebrea: Po si sillej ajo me ju në sy të babit?

Naime: Në sy të babit sillej pak më ndryshe, bënte sikur na donte, por në fakt s’na donte fare, na ka urryer gjithmonë. Babi shihte disa pjesë, por ndonjëherë reflektonte, ndonjëherë jo.

Ardit Gjebrea: Ju ushqente, kujdesej për ushqimin tuaj, si ju trajtonte për të ngrënë?

Naime: Derisa u rrita unë, pastaj kujdesesha më shumë unë. Më detyronte të punoja në disa raste. Në shtëpi kujdesesha unë për punët sepse ndonjëherë punonte ajo. Ndonjëherë i fshihte lekët vetëm që babi të sillej keq, të më dhunonte mua.

Ardit Gjebrea: Të mendonte që i merrje ti lekët? Pra ajo i fshihte lekët e babit që të mendonte që i merrje ti lekët dhe fillonte druri.

Naime: Fillonte dhuna, pas një kohe që mbaroja gjithë gjëja, dilnin lekët ose nuk i nxirrte fare ndonjëherë

Në episodet që i kujtohen nga fëmijëria e vështirë, Naimja përmend në “Ka Një Mesazh Për Ty” momentet kur e detyronin të ofendonte njeriun që e kishte sjellë në jetë.

Naime: Mami gjatë asaj kohe ka qëndruar e vetme, s’ka pasur asnjë mbështetje. Është munduar t’ia dalë vetëm dhe ia ka dalë.

Ardit Gjebrea: Po vinte t’ju takonte?

Naime: Vinte, por sa vinte në shkollë, jashtë shkolle nuk kishim mundësi sepse kishim dikë ose nuk na lejohej të dilnim. Sa vinte, thërrisnin sigurimin e shkollës, lajmëronin babin dhe njerkën. Më detyronin ta ofendoja, të thërrisja policinë që të mos më afrohej. Nuk e doja këtë pjesë, por më detyronin ta bëja. I thoja “mos hajde, nuk të kam mami, të urrej”. Fjalë të ndryshme që sot jam penduar shumë, edhe pse më kanë detyruar t’i bëj këto gjëra.

Ardit Gjebrea: Po kështu edhe vëllai?

Naime: Po, vëllai edhe më shumë ndoshta. Gjithmonë më kujtohet pjesa kur kthente shpinën, na shikonte dhe largohej në shtëpi duke qarë, nuk i pushonin lotët. Edhe mua më vjen shumë keq për pjesën që e ofendoja, por isha e detyruar, nuk kisha ku të kthehesha.

Ardit Gjebrea: Derisa një ditë mami nuk erdhi më, mendoi se ju e urrenit, nuk e donit, u lodh, u dorëzua.

Naime: Vinte nga larg, na shikonte, ne nuk e dinim. Vinte pa na takuar, nga larg, por nuk na afrohej më. Mendova se mami u dorëzua dhe nuk do vinte më asnjëherë të na shikonte.