Transmetuar më 11-05-2022, 23:29

Ndodhi në Indi. Ndërprerja e energjisë elektrike në një ceremoni martese ka sjellë një ngatërresë të madhe pasi dy motra janë martuar aksidentalisht me burrat e njëra-tjetrës.

Incidenti ka ndodhur në Ujjain, në shtetin indian të Madhya Pradesh dhe ka qenë prifti hindu i dasmës ai që nuk ka parë mirë nga errësira dhe ka ngatërruar gjithçka. Mësohet se nuset të quajtura Nikita dhe Karishma, duhej të martoheshin me partnerët Dangwara Bhola dhe Ganesh por ndërprerja e energjisë elektrike shkatërroi gjithçka.

Babai i tyre, Ramesh Lal, tha se prifti hindu mund të jetë ngatërruar pasi motrat kishin veshur të njëjtën veshje dhe kishin një vello të kuqe që mbulonte fytyrat e tyre. Ndërsa dy dhëndurët të cilët ishin nga familje të ndryshme, mbanin vello dekorative të cilat fshihnin fytyrat e tyre. Gabimi i së dielës pretendohet se ka shkaktuar një grindje të madhe mes familjeve. Sipas mediave, gabimi u zbulua vetëm pasi dhëndurët morën nuset e tyre përkatëse në shtëpi.

Por martesat aksidentale nuk kanë zgjatur shumë pasi gabimi u korrigjua të nesërmen, kur u mbajt një ceremoni e re për të konfirmuar martesat e duhura.