Transmetuar më 11-05-2022, 17:52

TIRANË– Në cilësinë e kreut të Kadastrës, Artan Lame ka kërkuar ndjesë publikisht për sjelljen dhe korrupsionin e ushtruar nga punonjësi i Kadastrës së Sarandës që u vu sot në pranga, Laert Pasha.

Në një dalje për mediat, Lame tha se ka shumë raste të tilla abuzimesh e se i vjen keq për këtë gjë. Drejtori u bëri thirrje punonjësve që të mos joshen nga paratë pasi duhet të mendojnë se mikrofoni i gazetarëve arrin në çdo skutë.

“Dje në emisionin Stop shfaqej një punonjës i Kadastës Sarandë që fuste duart në xhepat e qytetarëve. Unë sot mund të them çdo justifikim, por mund të them se duhet të jesh tërësish idiot për të mos kuptuar se ç’po bëhet vitet e fundit, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit.

Mund të them që është rast i veçuar dhe jo i përhapur. Mund të them shumë gjëra të këtij lloji, por nuk do them asnjë nga këto. Do u drejtohem shqiptarëve dhe do u kërkoj ndjesë shqiptarëve në emër të institucionit që drejtoj. Do i kërkoj ndjesë edhe punonjësve të ndershëm të Kadastrës. Falënderime i shkojnë edhe mediave. Kjo për faktin se mikrofoni mbërrin edhe atje kur dora ime nuk mbërrin e këtë duhet ta dini.

Nuk vihen në diskutim përpjekjet tona në këtë drejtim. Vitet e fundit në Sarandë janë larguar nga puna 8 punonjës. Ju nuk më keni parë të dal e të mburrem për shifra, nuk preferoj të dal në televizor e të them këto gjëra.

Unë mundohem t’i largoj vetë personat problematikë, në Sarandë madje është bërë edhe një rast tjetër problem e janë kallëzuar 8 raste abuzimesh. Janë marrë mbi 100 masa ndaj punonjësit.

I drejtohem edhe njëherë veç e veç punonjësve të kadastrës. Mos e merrni veten në qafë dhe të josheni nga shuku i parave,”- tha Lame ndër të tjera.

Zyrtari i Kadastrës së Sarandës, Laert Pasha, është vënë në pranga sot. Pasha u denoncua në emisionin ‘Stop’ pasi kërkonte 2 mijë deri në 4 mijë euro për favorizimin e qytetarëve, kundrejt marrjes së certifikatës së pronësisë.