Transmetuar më 09-05-2022, 14:19

Një ngjarje misterioze ka habitur banorët e një zone mes Gramshit dhe Sulovës së Elbasanit.

Në një arë të punuar në afërsi të përroit të Skribicës janë konstatuar rrathë të saktë gjeometrikë, raporton Noa.al.

Ekzaktësisht kjo zonë ndodhet mes fshatit Kuturqarr Gramsh dhe fshatit Bovishtë të Sulovës.

Ngjarja misterioze është shënuar të premten më 6 maj.

Pamjet u morën rastësisht nga një banor i fshatit Topojan.

Nga vëzhgimi i vendit nuk janë gjetur asnjë lloj gjurme kafshësh apo objekte të tjera.

Mjaft banorë që panë vendin tashmë janë të sigurtë se ata janë vizituar nga jashtëtokësorët.

Por ajo që habit është fakti se kjo nuk është hera e parë që banorët e kësaj zone shohin rrathë të tillë në parcela. Thjsht ata nuk u kanë kushtuar rëndësi.

Ajo që ata kanë konstatuar është se në vende të tilla nuk mbin më bimësia për disa vite.

Raportime për disqe fluturues dhe UFO janë raportuar në mjaft raste në zona të ndryshme të Shqipërisë. Noa.al