Transmetuar më 26-04-2022, 11:38

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka rekomanduar sot vaksinimin me dozën e katërt, pasi kjo u kërkua më herët nga ana e Komitetit të Ekspertëve të Vaksinimit.

Mira Rakacolli, kryetare e Komitetit Teknik të Ekspertëve tha se do të ofrohet vaksinim me dozë të katërt të qytetarëve mbi 60 vjeç dhe atyre me sistem imunitar të kompromentuar sipas rekomandimit të mjekut të familjes.

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Prof.Silva Bino, tha se ka ende qarkullim të shtamit BA1, të shtamit BA2 dhe pavarësisht situatës mjaft të mirë epidemiologjike, shtamet e Covid19 po pësojnë mutacione të vazhdueshme.

"Prandaj risku mbetet aktual. Pavarësisht uljes së rasteve, vaksinimi është masa më e rëndësishme e cila mbron nga hospitalizimet dhe mbron nga vdekja”, tha Bino.

Në Shqipëri kanë ardhur mbi 3 milionë doza vaksine, 87% e të cilave janë përdorur. Vaksina më e përdorur në vend është Pfizer, e ndjekur nga Coronavac dhe AstraZeneca. Ata që kanë bërë dy doza të kinezes Coronavac dhe britanikes AstraZeneca, po bëjnë vetëm Pfizer.

Përsa i përket mbulesës vaksinale, Shqipëria ka një mbulesë mbi 60.8% me të paktën një dozë për popullatën target.