
Komiteti Teknik i Ekspertëve të pandemisë në vendin tonë kanë dalë në konferencë për shtyp dhe kanë bërë përditësime të rëndësishme të situatës. Kështu, kryetarja Mira Rakacolli ka konfirmuar ndryshimin e masave anti-Covid.
Njëkohësisht, ajo ka njoftuar se për moshat mbi 60-vjeçare do të nisë vaksinimi me dozën e 4-t. Dy lehtësime masash të tjera janë heqja e detyrimit të mbajtjes së maskave dhe lejimi i muzikës pas orës 23:00. Po kështu, komiteti ka hequr detyrimin e certifikatës së vaksinimit për shtetasit që hyjnë në Shqipëri nga data 1 maj e këtij viti.
Nga ana e saj, shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino ka zbuluar nivelin e vaksinimit të popullatës në vendin tonë: “Në Shqipëri kanë ardhur mbi 3 milionë doza vaksina dhe 87% e tyre janë përdorur.
Pra, Shqipëria ka një nivel të lartë të vaksinave ndaj Covid. Vaksina më e përdorur është "Phizer", e ndjekur nga "Coronavax" dhe pastaj "Astrazeneca".
Kemi 50 % të mbulesës me një dozë, për të gjithë popullatën 12 vjeç e lart, dhe mbi 50% me dy doza për të gjithë popullatën mbi 16 vjeç e lart. Gjysma e popullatës është vaksinuar me vaksinën kundër Covid.
Te grupmoshat 80 vjeç e lart kemi një mbulesë vaksinale të lartë, që vihet re edhe në grupmoshat 60-70 vjeç. Mbulesë të ulët ka mosha 40-50 vjeç dhe nën 40 vjeç. Sa iu përket punonjësve shëndetësorë, 93% e kanë marrë një dozë të vaksinës, edhe punonjësit e policisë e të gardës kanë një mbulesë 98%.
Këto të dhëna raportohen krahas OBSH. Shqipëria është vendi i tretë në rajon në lidhje me mbulesë vaksinale për të gjithë popullatën. Sa iu takon rajoneve me mbulesë të lartë vaksinale është Mirdita, Tirana, Belshi, Himara, Saranda, Gjirokastra. Këto janë bashkitë me 70% të vaksinimit.
Bashkitë me nivel të ulët: Laçi, Malësia e Madhe, Klosi, Elbasani, Shkodra. Pra, këto janë bashki që kanë nivel më të ulët vaksinimi”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





