
Rusia ka paralajmëruar se ekziston rreziku "real" për nisjen e një lufte të tretë botërore. Ministri i Jashtëm rus Serghei Lavrov u pyet dje nga mediat për rëndësinë e shmangies së Luftës së Tretë Botërore dhe nëse situata aktuale ishte e krahasueshme me krizën e raketave kubane në vitin 1962, një pikë e ulët në marrëdhëniet SHBA-Sovjetike.
Ai tha se "rreziku është serioz, real. Dhe ne nuk duhet ta nënvlerësojmë atë."
Lavrov shtoi se Rusia dëshiron të vijojë me negociatat e paqes, por pohoi se ka shumë rreziqe që po fryjnë artificialisht një luftë bërthamore.
“Një luftë bërthamore është e papranueshme. Rreziqet janë shumë domethënëse, ky rrezik nuk duhet nënvlerësuar, edhe nëse ka shumë njerëz të gatshëm për të fryrë artificialisht këtë kërcënim.
Rusia dëshiron të vazhdojë negociatat e paqes. Vullneti i mirë ka kufijtë e tij. Dhe nëse nuk është reciproke kjo nuk do të kontribuojë në procesin e negociatave por ne do të vazhdojmë të zhvillojmë negociata me delegacionin e Ukrainës”, tha Lavrov.
Lavrov foli edhe për furnizimin me armë të Ukrainës nga vendet Perëndimore, duke thënë se “këto armë mund të bien në duart e terroristëve dhe më pas të kthehen në bumerang, kundër atyre vendeve që i kanë dhënë”.
Pushtimi dymujor i Rusisë në Ukrainë, sulmi më i madh ndaj një shteti evropian që nga viti 1945, ka lënë mijëra të vdekur ose të plagosur, ka bërë që shumë qytete të kthehen në rrënoja dhe ka detyruar mbi 5 milionë njerëz të ikin jashtë vendit.
Moska i quan veprimet e saj një "operacion special" për të çarmatosur Ukrainën dhe për ta mbrojtur atë nga terroristët dhe fashistët. Ukraina dhe Perëndimi thonë se ky është një pretekst i rremë për një luftë të paprovokuar nga Presidenti Vladimir Putin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





