Transmetuar më 25-04-2022, 12:03

Greqi- Greqia është e shqetësuar lidhur me disa lëvizje të ushtrisë turke.

Stërvitja e ushtrisë së vendit fqinj konsiderohet si një përgatitje e Ankarasë për të pushtuar disa ishuj në Egje.

Turqia ka angazhuar që prej fillimit të muajit 114 anije dhe më shumë se 11 mijë ushtarë, krahas avionëve dhe helikopterëve në këtë stërvitje, e cila kryhet në kuadër të doktrinës ushtarake “Atdheu Blu”.

Stërvitja zhvillohet në detin e Zi dhe atë Egje, por një lëvizje e fundit e turqve ka alarmuar seriozisht grekët. Sipas mediave të Athinës, sëfundmi Turqia ka kryer një stërvitje ku sipas grekëve simulohet zbarkimi në ishullin e Rodosit.

Stërvitja ku një grup i forcave speciale të ushtrisë turke pushton një ishull është kryer në ishullin Yilancik vetëm pak kilometra nga Rodosi.

Sipas këtij simulimi, një pjesë e ushtarëve shkojnë me zhtyje në ishull, të tjerë zbresin nga një nëndetëse, ndërsa pjesë e operacionit zbarkues janë edhe helikopterët.