
Nëpërmjet “Le Parisien” dalin informacione të tjera mbi propozimin më të fundit të bujshëm të rinovimit, të bërë nga PSG për Kylian Mbappé, pas takimit të orëve të fundit mes nënës së tij, presidentit Al Khelaifi dhe Emirit të Katarit në Doha.
Klubi parizien synon të lidhë një kontratë 2+1 vjeçare me yllin e futbollit francez, kampion bote më 2018, me një pagë 50 milionë euro fikse. Përveç kësaj, 23-vjeçari do të përfitonte edhe një “bonus besnikërie” prej 100 milionë eurosh, që do t’i jepej gjatë kohëzgjatjes së kontratës së re.
Nëse ai i thotë “jo” Real Madridit dhe qëndron te PSG për 3 vite të tjera, atëherë Mbappe mund të arkëtojë 250 milionë euro të tjera në kryeqytetin francez.
Po sipas gazetës franceze në fjalë del në pah një tjetër detaj, që mund të ndryshojë ekuilibrin: lojtari ka pranuar dëshirën për ta udhëhequr PSG-në drejt fitores në Ligën e parë të Kampionëve në histori. Sidoqoftë, për ta bërë këtë do të donte garanci absolute nga klubi.
Kjo nënkupton që në verë të vihen në vendin e duhur gjërat e duhura, si në ekip, ashtu edhe në sektorin drejtues. Më tej duhet kujtuar se, sipas “RMC Sport”, javën e ardhshme ka edhe një takim mes nënës së lojtarit dhe Real Madridit.
Ndërkohë, trajneri i PSG-së, Mauricio Pochettino foli në konferencën për shtyp edhe mbi situatën e Mbappé: "Sigurisht që të gjithë do të donim që ai të rinovonte. Megjithatë, disa vendime i përkasin vetëm klubit dhe lojtarit. Ndërkohë, le të mendojmë për fitoren. Pastaj, pas përfundimit të sezonit do të mund të analizojmë situatat e individëve”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





