Transmetuar më 22-04-2022, 13:08

Humbja e Chelsea ndaj Arsenalit në "Stamford Bridge" ka krijuar shumë polemika në Londër. Derbi i humbur konfirmon një periudhë që sigurisht nuk është pozitive për blutë, të cilëve tashmë iu është dashur t’i thonë lamtumirë Champions League pas përballjes me Real Madridin dhe që tani, me renditjen në Premier League, mund të fillojnë të shqetësohen edhe për vendin e tretë.

Sigurisht, pesë pikë larg Tottenhamit dhe Arsenalit, me një ndeshje për ta rikuperuar, duket si një numër i mirë me gjashtë ndeshje para, por duke pasur parasysh paraqitjet e fundit të skuadrës së Tuchel, një kolaps nuk mund të përjashtohet aspak.

Megjithëse problemi është ekipi, asgjë tjetër nuk bën zhurmë si situata e Romelu Lukakut. Në ndeshjen ndaj "Topçinjve", trajneri i dha një mundësi ish-lojtarit të Interit, për të cilin klubi pagoi 115 milionë euro.

60 minutat e qendërsulmuesit, megjithatë, nuk bënë gjë tjetër veçse i përkeqësuan problemet, sepse në fushë belgu praktikisht nuk bëri asgjë të dobishme për kauzën. Siç thuhet nga "DailyMail", ai e preku topin 22 herë, bëri një gjuajtje (që nuk shkoi në portë) dhe një duzinë pasime të përfunduara.

Jo pikërisht ajo për të cilën Chelsea e riktheu në "Stamford Bridge" pas dy vitesh si dominues absolut i Serie A. Dhe nëse Tuchel nuk duket se ka një vlerësim të lartë për të, tani edhe tifozët duken mjaft të ngopur me "BigRom".

Komentet në rrjetet sociale për ndeshjen, të mbledhura nga tabloidi britanik, janë në fakt të pamëshirshme ndaj Lukakut. “Edhe Maguire është më i rrezikshëm para portës se ai”, – ankohet një tifoz i Chelseat. Duke marrë parasysh që kapiteni i Manchester United është një mbrojtës, e kuptoni që nuk është tamam një kompliment për belgun.

Dikush tjetër komenton me ironi: “Kush e di se kur do ta shohim më Lukakun të luajë. Megjithëse ishte në formacionin fillestar, nuk mendoj se ka qenë në fushë”. Ato 100 milionë stërlinat e shpenzuara nga klubi i kujtohen gjithmonë, madje duket se janë mallkimi i belgut: "Një tjetër paraqitje e turpshme nga Lukaku, 100 milionë stërlina. Vërtet e turpshme, ai as që përpiqet të luajë".

Kur Tuchel e nxori nga fusha për t’i hapur rrugën Havertz pati një psherëtimë lehtësimi: “Doli jashtë, sikur kishte diçka tjetër për të bërë”. Tashmë çdo referencë për Interin, që ëndërron ta shohë sërish zikaltër, nuk duket aspak e rastësishme…

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd