
Dy orë e gjysmë konferencë për shtyp. Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales, i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm Andreu Camps, dha të gjitha shpjegimet që i gjykoi të nevojshme në lidhje me “skandalin e Superkupës”. Aferë që lidhet me transferimin e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite për 6 vite.
Kjo, falë punës së një ndërmjetësi të veçantë, Gerard Piqué, falë kompanisë së tij "Kosmos Holdings". Federata përfiton 40 milionë euro në vit, ndërsa "Kosmos" 4 milionë. Javën e kaluar, telefoni i Rubiales u hakerua dhe prej andej u vodhën një numër i madh dokumentesh. Më pas ato i kaluan gazetës dixhitale "El Confidencial", e cila të hënën filloi të publikonte skedarë audio, kontrata, email.
“Nuk mund të përjashtoj që herët a vonë dikush do të më vendosë kokainë në bagazhin e makinës sime, – ka përsëritur disa herë Rubiales. – Nuk po them se do të më gjejnë në ndonjë kanal me një plumb në pjesën e pasme të kokës, por po kam frikë për veten, për familjen, për miqtë e mi.
Kur vendosa të kandidoja për president federate e dija që po rrezikoja, se do të bëja armiq të fuqishëm, që do të bënin gjithçka për të më penguar, se duhej të isha i guximshëm, por kurrë nuk e mendoja se një mafie si kjo mund të vidhte përmbajtje private nga telefoni im, foto me vajzat e mia, biseda me gruan time. Ky është një veprim mafioz".
Rubiales ka thënë vazhdimisht se e di se kush qëndron pas asaj që ai e ka quajtur vazhdimisht "mafia", por avokati e këshilloi të mos e përmendte. "Të gjithë e dimë se kush përfiton nga e gjitha kjo. Ju e dini, unë e di, të shohim nëse do ta zbulojë edhe policia".
Kokaina, mafia, frakturat e shumta dhe goditjet në pjesën e pasme të kokës mënjanë, Rubiales u mbrojt me pasion dhe argumente: "Në çdo negociatë ka një agjent që merr një komision, pyesni ekipet e futbollit. Në këtë rast është ‘Kosmos’, e cila nuk ka marrëdhënie ekonomike me federatën. Janë arabët ata që e paguajnë ‘Kosmos’, jo ne.
Pa ‘Kosmos’ nuk do të kishim arritur marrëveshje me Arabinë Saudite dhe për rrjedhojë nënshkrimin e një kontrate përrallore, e cila i sjell përfitime të mëdha futbollit bazë në Spanjë. Ata na paguan 40 milionë euro edhe kur e luajtëm Superkupën në Andaluzi për shkak të pandemisë.
Dhe ishte një kohë e presionit të madh ekonomik për futbollin spanjoll. Serie A mori 7 milionë nga Arabia Saudite për një ndeshje. Ne morëm 40 milionë për tri ndeshje. Nuk e di se si i shpërndanë 7 milionët e mbledhura për Superkupën e tyre në Itali, por 40 milionët tona kanë sjellë përfitime të mëdha në futbollin bazë".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





