Transmetuar më 20-04-2022, 11:01

CMG-ja: Ekonomia kineze ruan qëndrueshmërinë para presioneve të shumta

PBB-ja e Kinës në tremujorin e parë të këtij viti ishte 27 trilionë e 17 miliardë e 800 milionë juanë, me një rritje 4.8 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vjetshme mbi bazën e çmimeve konstante. Në një analizë të Grupit Mediatik të Kinës, kjo rritje quhet një rezultat i përpjekjeve të shumta përballë ndërlikimit të situatës ndërkombëtare dhe shpërthimeve të COVID-19 në disa krahina të vendit.

Në tre muajt e parë të këtij viti, vlera e shtuar e ndërmarrjeve industriale me të ardhura vjetore mbi 20 milionë juanë ishte 6.5 % më e madhe se në të njëjtën periudhë të vjetshme, investimet kombëtare në pasuri të patundshme u rritën 9.3 %, ndërsa vëllimi i përgjithshëm i shitjes të mallrave të konsumit dhe vlera e import-eksportit të mallrave u shtuan përkatësisht me 3.3 % dhe 10.7 %.

“Në përgjithësi, ekonomia kombëtare e Kinës ka vijuar prirjen e rigjallërimit, duke i mbajtur treguesit kryesorë të funksionimit në një shkallë të arsyeshme, çka i ka sjellë faktorë të çmuar qëndrueshmërie ekonomisë globale plot luhatje”, thuhet në analizën e CMG-së.

Që nga fillimi i këtij viti, situata ndërkombëtare ka pasur ndryshime të shumta, me çmimet e lëndëve të para që shënuan një rekord të ri në tregun ndërkombëtar.

Ndërkohë, shpërthimi i COVID-19 në disa krahina të Kinës ka vështirësuar më tej funksionimin normal të subjekteve të tregut.

“Në këto rrethana, një rritje e tillë e qëndrueshme duket më e vlefshme”, shkruhet në analizë.

Po nga vjen kjo qëndrueshmëri?

Nga një anë, nga menaxhimi i qeverisë, që ka arritur të ndërthurë kontrollin epidemik me zhvillimin ekonomiko-shoqëror.

Si për sa i përket uljes masive të taksave apo emetimit të bonove për të shtuar investimet efektive, ashtu edhe përdorimit të mjeteve monetare, Kina ka publikuar shumë masa për të stabilizuar ekonominë, sidomos për të mbështetur subjektet e tregut që janë goditur më rëndë.

Nga ana tjetër, kompanitë kineze kanë vazhduar të ngulin këmbë në nxitjen e zhvillimit me risi, si për shembull, transformimi digjital i fabrikave të tyre.

Pikërisht për shkak të besimit te ekonomia kineze, sipas Raportit të Hetimit të Mjedisit të Biznesit të Kinës të publikuar në mars nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Kinë, 60 % e kompanive janë shprehur se Kina ende radhitet në tre destinacionet e para të investimeve, ndërsa 66 % planifikojnë të shtojnë investimet në Kinë.

Jo vetëm kaq, por me gjithë vështirësitë e shumta, Kina ka bërë përpjekje brenda mundësive për të garantuar qëndrueshmërinë e zinxhirëve globalë të furnizimit. Në tremujorin e parë të këtij viti, tregtia e jashtme e Kinës u shtua mbi 10 %, duke shënuar rritje për shtatë tremujorë me radhë e duke luajtur rolin e pazëvendësueshëm për funksionimin e sigurt të zinxhirëve të furnizimit në mbarë botën. Në portin më të madh në botë, Ningbo-Zhoushan, kapaciteti i ngarkim-shkarkimit arrin mbi 100 mijë kontejnerë standardë në ditë.

Edicioni i 131-të i Panairit të Import-Eksportit të Kinës (i njohur edhe si Panairi i Guangdong-ut), që është në zhvillim e sipër, përbën edhe një dritare të ndarjes së mundësive të zhvillimit të Kinës me botën e jashtme.

Siç mësohet, 402 ndërmarrje nga 32 vende e rajone të botës janë regjistruar për të marrë pjesë në panair. Tregu kinez po bëhet tregu i botës, ndërsa Kina po hapet me një nivel më të lartë ndaj botës.