
Shqipëria nuk ka pësuar asnjë ndryshim pozitiv në pikë, në të shtatë kriteret ku e bazon vlerësimin e saj ‘Freedom House’. Në raportin e publikuar së fundmi, vendi ynë vijon të përcaktohet në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion duke e konsideruar zhvillimin demokratik në vendin tonë si një proces që ka ngelur në vendnumëro.
Raporti nënvizon se zgjedhjet në Shqipëri janë përgjithësisht konkurruese, por shpesh dominohen nga blerja e votës, manipulimi me votat dhe mangësi të tjera.
Shoqëria civile luan një rol aktiv në raport me debatin dhe interesat publike, shkruan raporti, por vuan nga financimi i pamjaftueshëm dhe mospërfshirja e duhur në konsultimin e politikave, siç kërkohet me ligj.
Media zë një tjetër hapësirë në raportin e ‘Freedom House’. Sipas raportit, shumica e pronarëve të medias i përdorin platformat e tyre mediatike për të lobuar tek qeveria dhe partitë politike.
Gjyqësori
Raporti i Freedom House nënvizon se gjyqësori vijon të jetë nën një proces të vazhdueshëm verifikimi të pastërtisë së figurës së anëtarëve të tij deri në fund të vitit 2024, e për rrjedhojë funksionon vetëm pjesërisht. Prej fillimit të procesit të vetingut, janë rritur pritshmëritë, se sistemi i drejtësisë do të jetë më efektiv dhe më i pavarur, por në raport thuhet se ai ende nuk ka dhënë prova konkrete se po vepron lirisht.
Korrupsioni
Për sa i takon korrupsionit, në raport thuhet se ai vazhdon të jetë ende i përhapur, duke shkaktuar mosfunksionim në degë të ndryshme të qeverisë. Por raporti vlerëson se agjencitë e reja të zbatimit të ligjit, të krijuara, që nga viti 2019 po tregojnë rezultate inkurajuese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Media
Freedom House në raportin e fundit vlerëson me 3.5 pikë pavarësinë e shtypit njësoj si në vitin 2021, një rënie krahasuar me të paktën dy vite pararendëse kur ky tregues vlerësohej me 3.75 pikë.
Viti 2021 ishte sfidues për gazetarët për shkak të kërcënimeve, ngacmimeve dhe kushteve të tmerrshme të punës thotë “Freedom House”.
Sipas raportit, rreth tetë persona kontrollojnë pjesën më të madhe të tregut mediatik në Shqipëri dhe i përdorin këto platforma për të lobuar për interesat e tyre dhe për të mbajtur lidhje të ngushta me partitë politike.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





