Transmetuar më 20-04-2022, 11:21

Tiranë- Gjykata e Tiranës ka dënuar me 5 vite burg Matilda Bilali, bashkëshorten e ish-policit Arben Bilali, i cili u ekzekutua në një atentat mafioz në kryeqytet në vitin 2019.

Bilali akuzohet se në janar të vitit 2020 tentoi t’i jepte ndihmë vjehrrës së saj e cila pas vrasjes së tre djemve vendosi të largohej nga Shqipëria drejt Britanisë së Madhe. E moshuara Kumrije Bilali u ndalua në Rinas dhe ndërsa ishte nën hetim u vetëhelmua te varret e djemve duke ndërruar jetë.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi Bilalit i reduktohet në 3 vite e 4 muaj burg dhe konvertohet në shërbim prove. Gjykata e Tiranës, Krahas Matilda Bilalit dënoi me shërbim prove edhe 3 oficerë të tjerë, Liri Sinakoli, Aranit Dibra dhe Arta Mamani.

Vrasjet e tre vëllezërve Bilali që prej 1997 e deri në 2019 e fundit, mbeten ende krime pa autor. Për rastin e Arben Bilalit u arrestua si i dyshuar Gjergj Cukali, por u lirua më pas për shkak se provat e ADN-së të mbledhura në vendngjarje ishin të papërdorshme sipas organit të akuzës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd