
Krtetari i Shërbimit Informativ Shtetëror shqiptar, Helidon Bendo, foli të martën në Parlament për ndërhyrje të atyre që SHISH i quan vende jo mike me Shqipërinë.
Në raportin e përvitshëm në Kuvendin e Shqipërisë, mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura, por mësohet se Bendo mësohet t’u ketë thënë deputetëve në Komisionin e Sigurisë se:
“Veprimtaria e shërbimeve shtetërore të inteligjencës kundërshtare ka vijuar me ndërthurje në rritje të aktiviteteve. Këto shtete dhe shërbime jomiqësore me Shqipërinë, përdorin aktivitetet klasike dhe hibride për realizimin e synimeve të tyre", mësohet të jetë shprehu Bendo.
Sipas SHISH, "në veprimtaritë e spiunazhit, këto vende përdorin një kombinim të metodave që përfshijnë propagandën, dezinformimin, sulmet kibernetike, grumbullimin e informacionit sensitiv nëpërmjet ndërhyrjes në rrjetet kompjuterike, për qëllime spiunazhi kibernetik, për të realizuar aktivitete/operacione influence informative dhe psikologjike”.
SHISH ka kualifikuar si vende armiqësore ndaj Shqipërisë, me termin jo mike, vende tradicionalisht të luftës së Ftohtë si Rusia.
Lidhur me situatën në rajon gjatë vitit 2021, Drejtori i SHISH-it nënvizoi: “Situata është karakterizuar nga zhvillime të brendshme politike të brishta, të cilat kanë sjellë paqëndrueshmëri qeverisëse në disa shtete. Mosmarrëveshjet ndërshtetërore po shfrytëzohen nga vendet e treta për të mbajtur situatën në rajon të destabilizuar, me qëllim pengimin apo shtyrjen në kohë të proceseve integruese në BE e NATO të vendeve të caktuara të rajonit”.
Drejtori i SHISH-it, Helidon Bendo, nënvizoi se, në vizionin e Shërbimit për të ardhmen, fokusi do të jetë forcimi i kapaciteteve operacionale dhe kibernetike, për kundërvënien ndaj aktiviteteve të jashtëligjshme që kërcënojnë sigurinë kombëtare.
Ai tha edhe se forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe analitike ndaj kërcënimeve kibernetike është kryer duke ndjekur në dinamikë situata mbi kërcënime ndaj infrastrukturave publike dhe private të RSH, duke arritur të identifikojë targetin e kërcënimit, llojin dhe natyrën e sulmit. /noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





