Transmetuar më 19-04-2022, 11:57

Tiranë- Krahas testit të alkoolit, ka nisur edhe testi i drogës për shoferët.

Është një praktikë që bëhet për herë të parë në Shqipëri.

Policia e Shtetit njoftopn se një 25-vjeçar është arrestuar, pasi nga testi rezultoi se drejtonte automjetin në efektin e lëndëve narkotike.

Policia sqaron se gjatë kontrolleve policore është ndaluar drejtuesi J. Ç., 25 vjeç, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.

Nisur nga ky fakt, shërbimet e Policisë Rrugore i kanë bërë testin e drogës, me aparatin AquilaScan. Pas testit, rezultoi se 25-vjeçari drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i J. Ç., për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Gjithashtu, këtij shtetasi iu pezullua leja e drejtimit dhe iu vendos masa administrative me 15.000 lekë gjobë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd