Transmetuar më 19-04-2022, 08:14

Carlo Ancelotti flet për veten e tij. Trajneri i Real Madridit po përjeton sezonin e shpagimit, pas eksperiencave me më shumë hije se dritë në krye të Napolit dhe Evertonit. Në një intervistë për “Rai Radio 1”, trajneri nga Reggiolo ka prekur shumë tema. Duke bërë një bilanc të karrierës së tij shumë të dekoruar, ai foli për atë sukses në kampionat, që i dha emocionet më të forta:

"Është e vështirë të renditësh rezultatet që merr, ka gjithmonë kënaqësi të mëdha, veçanërisht në kampionatet ku vazhdimësia ka shumë rëndësi. Kampionati i Milanit më 2004 ishte një garë e mirë, por si mund të harroj atë me Chelsea…"

Duke folur për Milanin, ai pyetet në mënyrë ciklike mbi rikthimin te kuqezinjtë, duke pasur parasysh lidhjen e tij me klubin: “Do të flas për këtë ditën që do të largohem nga Madridi. Nëse largohem nga Reali pas 20 vitesh, mendoj se mund të tërhiqem, në vend që të kthehem në Milano. Milani është një nga skuadrat e pakta që e mbaj në zemrën time, sepse më rriti: jo si lojtar, por si trajner. Po si drejtor? Maldini po bën një punë të mrekullueshme. Nuk ka nevojë për dy drejtorë".

Lideri i Milanit është Zlatan Ibrahimovic, të cilin Ancelotti e njeh mirë, sepse e ka trajnuar te PSG dhe tashmë ka arritur në pjesën e fundit të karrierës: “Pas largimit nga fushat e blerta, ai mund të bënte gjithçka, për shkak të njohurive të pafundme mbi futbollin dhe dinamikës së dhomës së zhveshjes. Ai mund të bëjë gjithçka”.

Merkatoja e kuqezinjve është e ndërthurur me atë të Realit të tij, duke qenë se një emër i kërkuar me ngulm te Milani është ai i Asensio: "Ai është një lojtar me cilësi të jashtëzakonshme. Ka pësuar një dëmtim të madh në gju vitet e fundit, rikuperimi i tij ka qenë mjaft i ngadaltë. Ai është një lojtar i rëndësishëm dhe unë mund të bëj vetëm vlerësim teknik. E ardhmja? Nuk e di çfarë do të ndodhë, ai po flet me klubin për rinovimin e kontratës”.

Ancelotti më pas flet për një çështje shumë të debatuar në këtë periudhë, siç është koha efektive e ndeshjeve në Serie A dhe kthimi në Itali i kolegut të tij të shquar, pikërisht Josè Mourinho: “Jam dakord, sepse tani duhet të jepni 10 minuta shtesë dhe gjithmonë ekziston ky ves i humbjes së kohës.

Mendoj se kemi ardhur në momentin për të vendosur kohën efektive. Mourinho i ka kthyer entuziazmin një qyteti dhe një klubi, i cili kishte absolutisht nevojë. Po bën një punë të jashtëzakonshme te Roma falë eksperiencave dhe cilësive të tij”.

Mbyllja e intervistës bëhet me Kupën e Botës në Katar. Trajneri i Realit zbulon se cilën kombëtare do të mbështesë në mungesë të Italisë: "Në Kupën e Botës do të brohoras Kanadanë. Ajo ka munguar për shumë vite në Botëror dhe është shtëpia ime e dytë. Pastaj presidenti i Federatës Kanadeze është nga Abruzzo, kështu që të gjithë italianët brohorasin për Kanadanë".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd