Transmetuar më 18-04-2022, 11:10

Ndërsa fokusi i tij kryesor sportiv është fitimi i Ligës së Konferencës së Evropës me Romën, Jose Mourinho e ka shfrytëzuar kohën e lirë për të nderuar Diego Maradonën.

Në Napoli, qyteti ku Maradona ishte ndoshta më i adhuruari, trajneri portugez përfitoi plotësisht nga transferta e Romës si mysafire me skuadrën e Luciano Spallettit dhe vizitoi muralin kushtuar legjendës argjentinase.

Më pas Mourinho vendosi një buqetë me lule në murale, i rrethuar nga tifozët e Napolit. Mourinho, i cili ishte mik i madh i Maradonës, bëri një “homazh” emocional për “Dorën e Zotit”, i cili u nda nga jeta në nëntor 2020.

“Maradona, bota e di cili je ti, bota nuk do të të harrojë kurrë, – tha portugezi, sipas “Sky Sports”. – U sigurova që djali im të dinte shumë për ty, edhe pse ka lindur pasi ti e kishe lënë futbollin. E di që djali im do të sigurohet që kur të bëhet baba, të mos i lërë fëmijët e tij të të harrojnë.

Pastaj është Diego djali. Ai më mungon. Më vjen keq që nuk kalova më shumë kohë me të, do të kisha dashur. Mendoj se familja, miqtë dhe kolegët e tij janë shumë të privilegjuar që e kanë njohur mirë dhe kaluan shumë kohë me të.

E njoh mjaft mirë edhe unë. Sidomos në humbjet e mia të mëdha, ai gjithmonë më telefononte. Në fitoret e mia të mëdha, kurrë. Do të më mungojë Diego dhe jam shumë i trishtuar, por kam ruajtur një buzëqeshje, sepse çdo minutë që kalova me të ishte për të qeshur”.

Duke pasur parasysh miqësinë e tyre të ngushtë, nuk është për t’u habitur që Mourinho donte t’i bënte nderimet e tij në të vetmin vend tjetër që ndihej si shtëpia e Diego-s, jashtë Argjentinës. Ky është Napoli i tij i dashur.

Një video e fundit e shpërndarë në Twitter nëpërmjet AS Roma, tregohet Mourinho duke ia ngulur sytë nga larg muralit të njeriut që e adhuronte, përpara se të afrohet ngadalë dhe të vendosë një buqetë me lule në bazën e veprës artistike.

Një shfaqje vërtet e bukur respekti dhe miqësie nga njëra ikonë e botës së futbollit në tjetrën. Maradona do të vlerësohet gjithmonë si Zot nga njerëzit e Napolit, pasi kaloi kapitullin më të madh të karrierës së tij në klubin e Italisë jugore, duke e çuar Napolin drejt dy titujve të Serie A, pavarësisht fuqisë së Milanit dhe Juventusit asokohe.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd