
Gianluigi Donnarumma është ende në mendimet e Milanit. Jo vetëm për gjërat e mira të shumta që ka bërë portieri i kombëtares italiane me fanellën e kuqezinjve nga debutimi i tij në moshën 17-vjeçare deri në majin e kaluar, por edhe për një rikthim të mundshëm, sensacional të “djalit plangprishës”.
Lajmi, kushedi sa shumë i vlerësuar nga fansat e "Djallit", u lançua nga "L’Equipe" dhe lidhet drejtpërdrejt me ndryshimin epokal që klubi kuqezi mund të përjetojë në javët në vijim.
Konkretisht kihet parasysh transferimi i pronësisë nga një fond në një tjetër, nga "Elliott" i SHBA te "Investcorp" i Bahreinit. Kjo "stafetë" mund të përkojë me një rritje të mëtejshme të ambicieve të Milanit në nivel kombëtar dhe evropian.
Sipas gazetës franceze, hipoteza e një rikthimi të bujshëm te Milani i Donnarumma është e lidhur ngushtë me të ardhmen e Leonardos. Drejtori sportiv i PSG-së mund të paguajë për të gjithë sezonin katastrofik evropian të klubit të kryesuar nga Nasser Al-Khelaifi.
Nëse braziliani do të largohej nga qyteti i Kullës Eiffel, atëherë edhe Donnarumma, blerja e të cilit u mbrojt nga Leonardo, mund të shitet dhe të kthehet në mënyrë sensacionale te kuqezinjtë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





