
Fundjava që sapo lamë pas ka qenë mjaft pozitive për një pjesë të mirë të legjionarëve kuqezinj, që aktivizohen në kampionatet elitë të Europës.
Gola dhe shumë emocione kanë prodhuar djemtë shqiptarë përgjatë kësaj fundjave, duke nisur me Giacomo Vrioni, i cili ka qenë heroi i Tirolit në sfidën ndaj Riedit në Austri, ku arriti të shënojë dy gola, duke i dhënë tri pikë shumë të rëndësishme skuadrës së tij.
Vrioni realizoi golin e barazimit në minutën e 82-të, teksa 10 minuta më vonë gjeti edhe golin e fitores për ekipin e tij. Kjo ishte rrjeta e 14-të për sulmuesin kuqezi në radhët e Tirolit.
Edhe Endri Çekiçi ka zhvilluar një ndeshje të shkëlqyer në Turqi, teksa ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës për herë të pestë me Konyaspor-in. Mesfushori kuqezi zhbllokoi rezultatin për skuadrën e tij, teksa mori notën 7.6 nga SofaScore. Në këtë sfidë luajti edhe bomberj kuqezi, Sokol Cikalleshi, i cili e nisi nga stoli.
Strakosha me Berishën shtrënguan duart pas ndeshjes Lazio-Torino, që përfundoi me shifrat 1-1. Një sfidë ku dy "gardianët" kuqezinj ruajtën portat respektive të skuadrave të tyre në kampionatin italian.
Manaj ka qenë një nga më të mirët në fushë në sfidën që Spezia zhvilloi ndaj Interit në shtëpi. Sulmuesi kuqezi nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës, por sipas uebsajtit të specializuar për statistika, Sofascore, Manaj u vlerësua me notën 7 sa i përket paraqitjes.
Armando Broja e nisi gjithashtu si titullar sfidën ndaj Arsenalit në kampionatin anglez, teksa luajti për 74 minuta, por pa lënë gjurmë në këtë ndeshje. Minuta ka pasur edhe për Kristjan Asllanin, Nedim Bajramin e Ardian Ismajlin, në radhët e Empolit kundër Udinezes në Serinë A italiane, si edhe për Myrto Uzunin me Granadën e tij e Keidi Baren me Espanyol në La Liga.
Edhe Qazim Laçi në Francë ka bërë një paraqitje mjaft të mirë në radhët e Ajaccio, si edhe Klaus Gjasula në Gjermani, teksa është rikthyer në fushë Amir Abrashi, pas dëmtimit që e mbajti larg fushës për disa javë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





