Transmetuar më 18-04-2022, 07:31

Tiranë- Çmimet e produkteve në fast food janë rritur nga 15 deri 19%. Rritje të çmimeve ka pasur edhe në dyqanet e byrektoreve. Çmimi i byrekut të vogël është shtrenjtuar 25%.

Nga vëzhgimi i kryer në Tiranë, Monitor ka zbuluar se çmimet janë rritur 15,7% e sufllaqes gjiro me mish derri dhe pule, ku nga 190 ka arritur 220 lekë, hamburgeri nga 160 në 190 lekë (rritja 18,7%), doner nga 190 ka arritur në 220 lekë (15,7%), sanduiç nga 130 në 150 lekë (rritja 15,3%), hot-dog 190 lekë në 220 lekë (rritja 15,7%). Çmimet për produkte si patate të skuqura 150 lekë/racioni dhe i tostit të thjeshtë 100 lekë kanë mbetur të pandryshuara.

Shtrenjtim 25% është shënuar edhe për çmimin e byrekut të vogël nga 40 lekë në 50 lekë. Çmimi i këtij produkti u rrit 33% edhe në muajin shtator 2021 nga 30 lekë në 40 lekë, periudhë kur nisi shtrenjtimi i çmimit të miellit. Në këtë periudhë edhe çmimi i bukës masive u rrit nga 70 lekë në 80 lekë.

Pas nisjes të luftës shtrenjtimi më i lartë i çmimeve ishte për vajin e lulediellit nga 249 lekë arriti në 330 lekë (rritje 32,5%). Aktualisht çmimi për këtë produkt që kontrollohet nga bordi i transparencës është 321 lekë për konsumatorin. Në import çmimi ka arritur 400 lekë për litër që pritet shumë shpejt të reflektohet edhe në tregun vendas.

Rritje e lartë është shënuar edhe për çmimin e miellit. Shtrenjtimi i miellit nisi që në muajin shtator 2021 nga 50 lekë në 55 lekë për kg, për shkak të rritjes të çmimit të grurit të importit. Në muajin tetor të 2021 çmimi i grurit të importit u rrit nga 220 dollarë në 360 dollarë për ton i zhdoganuar. Nisja e luftës ekspozoi më tepër çmimin e bukës dhe grurit. Sipas INSTAT, rreth gjysma e sasive vjetore të grurit (46%) që importon Shqipëria, vjen nga Rusia, ndërsa nga Ukraina erdhi 4% për vitin 2021. Ndaj pas qershorit pritet rritje e çmimit akoma më shumë.