Bota duhet të përgatitet për mundësinë se Rusia mund të përdorë armë bërthamore, paralajmëroi sërish presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Ai tha se bota duhet të marrë masa për të siguruar rezerva të ilaçeve kundër rrezatimit si dhe të ndërtojë strehime për tu mbrojtur nga sulmet ajrore.
“Ne nuk duhet të presim momentin kur Rusia të vendosë të përdorë armët bërthamore. Ne duhet të përgatitemi për këtë gjë, duke bërë gati vend strehimet, duke siguruar ilaçet kundër rrezatimeve të rrezikshme nga përdorimi i këtyre armëve. Por ju gjithashtu duhet të flisni me pushtuesit, të nënshkruani dokumente dhe të bëni presion mbi ekonominë e tyre. Ata mund të përdorin çdo armë, jam i sigurt, dhe ju nuk mund t’u besoni atyre”, tha Zelensky
Intervista e Zelenskyt u transmetua nga 6 website ukrainase të lajmeve dhe u transmetua gjithashtu nga presidenca ukrainase.
Të premten, Zelensky kishte paralajmëruar se bota duhet të shqetësohet për kërcënimin e Putinit.
Kremlini tha se kishte vendosur forcat bërthamore ruse në gatishmëri të lartë menjëherë pas fillimit të sulmit më 24 shkurt, por Shtetet e Bashkuara thonë se nuk kanë parë asnjë shenjë të lëvizjeve të pazakonta bërthamore.
Moska ka thënë se do të përdorë një armë bërthamore në Ukrainë në rast të një “kërcënimi ekzistencial” kundër Rusisë, u shpreh zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd