Transmetuar më 16-04-2022, 12:22

Kapsula e kthimit e anijes kozmike kineze “Shenzhou-13”, me tre taikonautë, siç quhen ndryshe astronautët kinezë – Zhai Zhigang, Wang Yaping dhe Ye Guangfu – u kthye në mënyrë të sigurt në Tokë në mëngjesin e së shtunës pas një misioni rekord 6-mujor në hapësirë.

Kapsula e kthimit zbriti në vendin e uljes Dongfeng në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme të Kinës Veriore rreth orës 9:56 të paradites, pas një udhëtimi prej afro 9 orësh nga stacioni hapësinor kinez.

Kina e deklaroi misionin e “Shenzhou-13” një sukses të plotë, pasi ekipi mjekësor në vendin e zbritjes konfirmoi se të tre taikonautët janë mirë me shëndet.

Zhai Zhigang, komandanti i misionit, ishte i pari që doli nga kapsula, duke ia bërë me dorë i buzëqeshur turmës që brohoritëse. Ai u shpreh se ndihej shumë mirë.

Zhai u pasua nga Wang, taikonautja e parë femër që ka shkuar në stacionin hapësinor të Kinës. "Dua t’i them vajzës sime që mami u kthye pasi arriti yjet," tha ajo.

Ye doli i fundit nga kapsula. "Fluturimi i parë im në hapësirë zgjati 6 muaj, çka ishte një sfidë për mua. Ëndrra ime kozmike është realizuar," theksoi ai.

Pikat kryesore të misionit të “Shenzhou-13”

Gjatë qëndrimit gjashtëmujor në stacionin hapësinor, ekuipazhi verifikoi teknologjitë kryesore për ndërtimin e stacionit hapësinor, duke përfshirë transpozimin në orbitë të anijes kozmike dhe funksionimin e krahëve robotikë me ngarkesa të rënda, duke mbledhur përvojë të vlefshme për montimin e mëvonshëm në orbitë dhe ndërtimin e stacionit hapësinor.

Ekuipazhi kreu dy ecje në hapësirë. Më 7 nëntor 2021, Wang Yaping u bë taikonautja e parë femër që ka ecur në hapësirë.

Përveç misioneve shkencore, tre astronautët dhanë edhe dy leksione të drejtpërdrejta shkencore nga stacioni hapësinor, gjatë të cilave ata kryen eksperimente të ndryshme dhe iu përgjigjën pyetjeve të nxënësve që i ndiqnin nga Toka.

Çfarë do të pasojë më vonë?

Ndërtimi i stacionit hapësinor planifikohet të realizohet në 2022-shin. Gjatë këtij viti, Kina do të lëshojë më parë anijen kozmike të mallrave “Tianzhou-4”, të ndjekur nga anija kozmike me ekuipazh “Shenzhou-14”. “Tianzhou-4” do të çojë furnizime për ekuipazhin e “Shenzhou-14”.

Gjatë qëndrimit të tyre do të lëshohen me radhë në hapësirë dy module laboratorike, “Wentian” dhe “Mengtian”.

Pastaj do të formohet një kompleks në formë “T”-je, çka do të shënojë përfundimin e ndërtimit të stacionit hapësinor.

Në të ardhmen do të lëshohen anija kozmike e mallrave “Tianzhou-5” dhe anija kozmike me ekuipazh “Shenzhou-15” për të filluar qarkullimin në orbitë të ekuipazhit në stacionin hapësinor.

Përveç kësaj, një kapsulë teleskopi do të dërgohet në hapësirë, që do të fluturojë në të njëjtën orbitë me stacionin hapësinor për të ofruar të dhëna vëzhgimi për studimet astronomike e fizike.

Pas ndërtimit të stacionit hapësinor, Kina planifikon të zhvillojë një bashkëpunim ndërkombëtar më të gjerë e më të thelluar.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd