
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja, ka bërë një deklaratë të fortë: “Ideja për ndarjen e Kosovës ende po mbahet gjallë nga ish-këshilltarët e ish-presidentit Hashim Thaçi në Kosovë. Po, kishte takime të fshehta Thaçi-Vuçiq-Rama për ndarjen e Kosovës”.
Në një intervistë për “KALLXO”, kryeakademiku kosovar “hap petët e lakrorit” të një prej çështjeve më të nxehta dhe të debatueshme vitet e fundit në rajon: “Idenë për ndarjen e Kosovës e vazhdojnë eksponentët dhe ish-eksponentët e Thaçit në Kosovë.
Në disa media janë të pranishëm disa ish-këshilltarë të tij, të cilët thonë: po, ne duhet t’ia japim diçka Serbisë për të marrë bashkimin kombëtar. Kështu e elaborojnë ata, me këtë ide dalin. Dy-tri gjëra nuk janë zbuluar asnjëherë.
Nuk janë zbuluar takimet e fshehta që i kanë mbajtur treshja (Thaci-Vuçiç-Rama) dhe për çfarë janë marrë vesh. Që ka pasur takime të fshehta, e dinë tashmë të gjithë. Edi Rama ishte i lidhur me treshen. Thaçi–Vuçiç–Rama ishte treshja që mendonte të bënte Ballkanin.

Një zot e di se çfarë donin të bënin. Por e di një gjë dhe e them haptas, që mendonin ta ndanin Kosovën. Tani, kush e prodhoi këtë ide i pari? Vuçiçi thotë unë. Projekti për me nda Kosovën nuk është bërë nga Rama, është bërë nga një zyrë ndërkombëtare, e cila është paguar nga Serbia përmes disa fondeve të jashtme.
Tani ju do të habiteni se kush kanë qenë të përfshirë në këtë projekt, sepse atyre, nëse iu jep para ta bëjnë projektin pa ndonjë problem, sepse marrin ekspertë të fushave të ndryshme dhe e bëjnë. Kanë vizatuar harta, i kanë bërë të gjitha, disa detaje janë parë e disa nuk janë parë.
Ka qenë një ide për me zgjidh problemin e Kosovës ose problemin shqiptar me një marrëveshje me Serbinë, do të bëhej bashkimi kombëtar, pjesa e mbetur e Kosovës t’i bashkohej Shqipërisë dhe një pjesë do t’i jepej Serbisë”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





