Transmetuar më 16-04-2022, 08:14

Vlorë- Një nga gjeneratorët e mundshëm të energjisë në Shqipëri, Termocentrali i Vlorës, nuk është vënë ende në shfrytëzim për shkak të problematikës me sistemin e ftohjes.

Ai ka kapacitet të instaluar 98 MW dhe mbetet vepra e vetme e ndërtuar në kuadër të diversifikimit, i cili nuk ka punuar asnjë ditë për shkak të

“Edhe gjatë vitit 2021, shoqëria TEC Vlora sh.a., ka kryer aktivitetin e saj në lidhje me konservimin e asetit gjenerues, i cili nuk është në gjendje pune, për shkak të problematikave të shfaqura që nga viti 2012” raportoi ERE.

Kostoja e prodhimit të energjisë nga ky termocentral vlerësohej jashtëzakonisht e lartë, por ai u ndërtua si një vepër alternative që do të furnizonte një pjesë të vendit në kushtet e një situate të jashtëzakonshme. Tentativat e qeverisë për ta dhënë me koncesion këtë vepër nuk rezultuan të suksesshme, ndërkohë që tashmë ka një përpjekje që ky TEC të kalojë në prodhim me gaz të energjisë. Kjo alternativë erdhi pas nënshkrimit të një marrëveshjeje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanive Amerikane, Exxon Mobil dhe Excelerate Energy, për vlerësimin e kuadrit rregullator teknik dhe komercial të futjes së Gazit Natyror të Lëngët (GNL) në Shqipëri.

Sipas ERE-s po studiohet mundësia e ndërtimit të një Terminali Rajonal në Gjirin e Vlorës, i cili do t’i shërbejë jo vetëm për vendosjen në punë të TEC Vlora (kapaciteti aktual plus kapacitet shtesë i cili është në fazë studimi fizibiliteti) por gjithashtu do të shërbejë potencialisht si një burim alternativ furnizimi me gaz për tubacionin Fier – Vlorë – Fier. Ky terminal do të shërbejë gjithashtu për zhvillimin e mëtejshëm të tregut të gazit në Shqipëri, nëpërmjet shpërndarjes në zonën e Jugut.

“Marrëveshja përfshin zinxhirin e plotë, duke nisur nga konvertimi i TEC Vlorë me GNL, tek ndërtimi i një terminali të ri gazifikimi, duke shndërruar kështu Vlorën në pikë rajonale shpërndarëse.

Marrëveshja për TEC Vlora, ndër të tjera do të garantojë edhe sigurinë e furnizimit me energji, e cila është e nevojshme së paku për një burim të besueshëm për prodhimin e energjisë elektrike dhe termocentrali i Vlorës është konsideruar prej një kohe të gjatë si një burim i tillë” – thuhet në dokumentin e ERE.

Pavarësisht rëndësisë që ka një projekt si ky për diversifikimin, fakt është që ende jemi larg konkretizimit.