Transmetuar më 16-04-2022, 08:02

Nëse Real Madridi përfundon duke fituar Champions League 2021-2022, titulli do të kishte një vlerë që do të shkonte përtej sportit. Barra simbolike do të ishte e madhe, sepse fati ka vënë në rrugën e të bardhëve tri klubet që përfaqësojnë, mbi çdo tjetër, modelin e ri që duket se ka ardhur për të qëndruar në futbollin europian: atë të klubeve shtetërore, të financuar nga injeksione të pafundme petrodollarëshe (manjatë nafte), kapitale nga shtetet që kanë pak ose aspak të bëjnë me industrinë tradicionale të futbollit tonë kontinental.

Së pari PSG, pastaj Chelsea dhe tani City, tri linja oqeanike që kundërshtojnë dëshirën e "Los Blancos’ për një Ligë të re të Kampionëve. Tri klube me rrënjë ekonomike në Katar, Rusi dhe Abu Dhabi, financimi i të cilëve është vënë në pikëpyetje nga klubet tradicionale (si Real Madridi, Barça, Bayerni apo Juventus, ndër të tjera), të cilët konsiderojnë se klubi francez dhe dy klubet angleze luajnë me rregulla të ndryshme nga homologët e tjerë evropianë.

Sipas uebsajtit të specializuar Transfermarkt, deri më tani tre rivalët e Real Madridit zënë tri nga katër vendet e para në shpenzimet neto të transferimeve. I pari është City, me 1.524 milionë; Chelsea është i treti me 1.104 milionë; PSG i katërti me 950 milionë. Real Madridi është i gjashti në atë renditje, me 939 milionë euro.

Klubi i Parisit, rivali i Real Madridit në 16-she të Champions-it, ishte i fundit nga tre rivalëte cituar më sipër që kaloi valën e investimeve të huaja. Autoriteti i Investimeve të Katarit e bleu atë në vitin 2012, duke e kthyer një klub magjepsës, por të pasuksesshëm në kompeticionet europiane.

Sheikët nga Katari zbarkuan në Paris për të fituar Ligën e Kampionëve. PSG, pavarësisht se bashkoi një plejadë yjesh që këtë sezon ka bërë bashkë Mbappé, Messi dhe Neymar, ka mundur të arrijë vetëm një finale Champions-i (2019-2020), kur humbi ndaj Bayernit.

Chelsea është i vetmi nga tre rivalët e "Los Blancos" që ka fituar Champions League, madje dy herë. Në fakt ai është kampioni aktual europian, derisa të ketë pasardhësin më 28 maj. Pushtimi i tij tjetër daton nga viti 2012, duke mposhtur Bayernin në finalen e "Allianz Arena".

Pa u larguar nga Anglia, ne gjejmë projektin e Manchester City, po aq ambicioz sa ai i PSG-së dhe Chelsea, por edhe i ndërtuar me objektivin e madh për të fituar Ligën e Kampionëve. Në vitin 2008 ndodhi ardhja e "Abu Dhabi United Group for Development and Investment", i cili e ka kthyer City në fuqinë e madhe të futbollit anglez.

Që nga ardhja e investitorit lindor, City ka fituar pesë nga shtatë titujt e tij të Premier League, por është rrëzuar sistematikisht në Champions. Kulmi i "qytetarëve" ishte finalja e sezonit 2020-2021, në të cilën skuadra e Guardiolës u mund nga Chelsea.

Manchester City është pengesa e fundit për Real Madridin para finales së Champions-it. Një klub-shtet i ri është në rrugën e të bardhëve, me Villarrealin dhe Liverpool-in në gjysmëfinalen tjetër.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd