
Lulzim Basha e ka bërë “rit” tashmë, del para mediave në hyrje të parlamentit çdo seancë, nuk flet brenda mureve të Kuvendit të Shqipërisë, qysh kur u dorëhoq si kryetar i Partisë Demokratike.
Këtë gjë ka bërë edhe sot, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve mbi takimet që po zhvillon në bazë dhe situatën te demokratët: “Kam konstatuar një frymë përçarëse nga një grup njerëzish që prej kohësh kanë vendosur interesat personale të Sali Berishës e të tyret mbi interesat e sakrificat e demokratëve.
Shpreh keqardhje e shqetësim se dorëheqja ime nuk ka shërbyer aspak për të bashkuar demokratët, por është përdorur për të vijuar frymën e përçarjes me parimin se kush nuk është me mua shpallet armik e kulak, siç e keni parë atë që i bëjnë kryetarit në detyrë.
Enkelejd Alibeaj mbron parimet dhe vlerat mbi të cilat qëndron PD, interesat e demokratëve. Kjo është një dramë jo vetëm për demokratët, por dhe për shqiptarët”.
Pak ditë më parë, kyeministri Edi Rama tha se ka pasur komunikime me ish-kreun e opozitës, madje ia ka bërë të ditur se do të kishte këtë fund, por gaboi vetëm me kohën kur do të shkarkohej, me një vit.
Basha i mohoi këto gjëra: “Nuk ka patur komunikim mes nesh. Ka patur komunikim për dy humbje në familjen time. Këto kanë qenë. Ato që thotë Rama janë gënjeshtra.
Treshja e tranzicionit hedh gënjeshtra për të hequr vëmendjen. Nuk i japim fund vjedhjes. Prodhojnë cirk, hedhin gënjeshtra dhe askush s’jep zgjidhje. Unë jam përpjekur për një kulturë tjetër politike”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





