Transmetuar më 14-04-2022, 09:46

Tiranë- Edhe pse kohë krize, leku po i ‘reziston’ mirë euros.

Edhe këtë javë monedha vbendase po fiton gradualisht terren në kursin e këmbimit valutor. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, të martën Euro zbriti përsëri poshtë nivelit të 121 lekëve dhe u këmbye me 120.98 lekë.

Ky është niveli më i ulët i kursit të këmbimit Euro/Lek që prej fundit të muajit janar. Kursi i këmbimit së Euros jo vetëm që e ka tejkaluar goditjen që mori në fillim të muajit mars, por tashmë po u afrohet sërish niveleve rekord që shënoi në fund të vitit 2021, kur preku vlerat më të ulëta të 14 viteve të fundit.

Agjentët e tregut e shpjegojnë nënçmimin e euros kryesisht me ofertën konstante dhe kërkesën e pakët të tregut për monedhën europiane. Në muajt e fundit, subjekti që ka sjellë rritjen kryesore të kërkesës në kursin e këmbimit valutor është grupi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSHEE), për nevoja të blerjes së energjisë elektrike.

Një faktor tjetër që në teori mund ta ketë mbështetur forcimin e pozitave të lekut është rritja e normës bazë të interesit të lekut nga Banka e Shqipërisë. Më datë 23 mars, Këshilli Mbikëqyrës e rrit normën bazë me gjysmë pikë përqindje prej nivelit minimal historik 0.5% në 1%.