Transmetuar më 13-04-2022, 21:16

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur për deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili e cilësoi si një njeri “të vdekur politikisht”.

Në një intervistë në Abc, z.Berisha tha se politikisht, do ta çojë kundërshtarin e tij politik atje ku e meriton.

"Zotohem para të gjithë të gjallëve në Shqipëri se Edi Ramën do ta nis politikisht atje ku e meriton", tha Berisha.

Ai nuk kurseu kritikat ndaj Ramës: "Kur njeriu futet në një spirale të tillë do të thotë se ai jeton me lugetër, me fantazma dhe është afër finales së tij politike, ditëve të fundit të tij në politikë.

Unë nuk flas për jetëgjatësi biologjike, por ai lajmëroi në Kongresin e tij hyrjen në një spirale të tmerrshme politike për të. Ai bëri mohim të opozitës, që është përpjekja e një njeriu të tmerruar për të shpëtuar nga makthet që i krijon opozita e vërtetë dhe nga rikthimi i njeriut që ka të gjithë trashëgiminë, të gjithë potencialin për ta nxjerrë atë nga skena politike. Sali Berisha është i vetmi person në politikën shqiptare që e ka mundur tre herë Edi Ramën".

Duke pranuar se ishte mundur një herë nga Rama, më 2013, Berisha theksoi faktin se dha dorëheqjen në atë kohë edhe pse në statutin e PD nuk ishte vendim i detyruar. Ndërsa përmendi faktin tjetër se më 2009, Rama humbi zgjedhjet dhe nuk u dorëheq dhe pse statuti i PS e kishte të sanksionuar.

"Ai njeri nuk ka rregulla. Në vitin 2009 duhet të largohej, pasi ai ndryshoi statutin. Unë nuk e kisha të shkruar në statut që kryetari kur humbet zgjedhjet jep dorëheqjen, ai e kishte të shkruar në statut, që kur kryetari humbet zgjedhjet jep dorëheqjen, ai e ndryshoi statutin duke e bërë që kur kryetari humbet zgjedhjet nuk jep dorëheqjen.

Por, a ekziston Shqipëria që flet Rama Berisha ka këtë përgjigje: "Shqipëria që thotë Rama ekziston vetëm në realitetin e tij. Realiteti i tij është një realitet që nuk ekziston."

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd