
Përmes një komenti që mban autorësinë e Jan Wolf Schaefer, prestigjiozja gjermane “Bild” shpreh shqetësimin dhe indinjatën se si po trajtohet presidenti i vendit, i konsideruar i padëshirueshëm në Kiev, ku kishte planifikuar të bënte një vizitë përkrahëse, si shumë krerë shtetesh të tjera:
“Rrallëherë ka qenë një kryetar shteti i tillë i turpshëm. Frank-Walter Steinmeier nuk lejohet të udhëtojë në Ukrainë, sepse ai nuk pranohet atje! Një zbulim i paprecedentë! Në krizën më të rëndë në Evropë për dekada, Steinmeier nuk merret më seriozisht si personalitet.
Ai nuk është më një autoritet moral, fjalët e tij zbehen në turbulencën mes luftës dhe shpresës për paqe. Kreu i shtetit gjerman tani shihet në skenën ndërkombëtare si një nxënës shkolle. Kjo është e turpshme për Gjermaninë dhe reputacionin e saj në botë. Dhe është një njollë e rëndë për të gjithë qytetarët federalë.
Gjermania ka nevojë për një president federal, të cilit qytetarët i besojnë. Kush përfaqëson vlerat në mënyrë të vazhdueshme mund të iniciojë edhe debate të pakëndshme. Për këtë, Presidentit Federal i duhet një gjë mbi të gjitha: besueshmëria personale edhe te partnerët ndërkombëtarë. Është e diskutueshme nëse Frank-Walter Steinmeier i zotëron ende këto besueshmëri”.
Steinmeier kishte dashur të udhëtonte në Kiev "për të dërguar një sinjal të fortë të solidaritetit evropian me Ukrainën, – siç tha ai të martën pasdite. – Isha gati për këtë udhëtim, por padyshim më duhet ta pranoj, nuk ishte e mirëpritur në Kiev”.
“BILD” kishte raportuar më parë se Presidenti Federal po planifikonte një vizitë në vendin në luftë dhe se ajo u refuzua nga autoritetet e Kievit. Ditët e fundit, kolegu i tij polak Andrzej Duda kishte sugjeruar të udhëtonin së bashku në Ukrainë, duke përfshirë presidentët baltikë (nga Estonia, Lituania, Letonia).
Por, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bë barrikadë. Ai nuk dëshiron të takohet me Steinmeier në Kiev për momentin. Politikanët e tjerë të BE-së lejohen të shkojnë në kryeqytetin ukrainas.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





