
"Që kur kam filluar të stërvis në vitin 2005, në mos gaboj nuk kam kritikuar kurrë një koleg timin. Asnjëherë. Mendoj se ka mënyra të ndryshme për të luajtur futboll, për të marrë atë që dëshironi nga çdo ndeshje, unë zgjedh një. Dhe midis kolegëve duhet respekt… Gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë".
Këto janë fjalët në konferencë për shtyp të Diego Simeone, dukshëm i zhgënjyer në prag të çerekfinales së kthimit të Champions League ndaj Manchester City. Trajneri i Atletico Madridit iu rikthye kritikave të marra për qëndrimin ultra-mbrojtës në ndeshjen e parë në Angli.
Ai u kritikua si parahistorik me futbollin e tij, duke e vendosur skuadrën me modulin e panjohur në këtë sport, 5-5-0. Pra, "parkoi autobusin" para portës së Oblak. Sidoqoftë, për të ka rëndësi rezultati. Humbja minimale në Manchester i jep mundësinë të shpresojë te përmbysja dhe kualifikimi në gjysmëfinale:
"Rezultati që arritëm në ndeshjen e parë me atë lojë na jep shpresë. Nuk do të duhet të bëjmë gjëra të ndryshme nga ato që dimë të bëjmë më mirë. Në futboll flet rezultati, ai mbahet mend.
Shpresojmë të jemi në gjendje të flasim më mirë në fushë, të kemi tranzicione më të shpejta, më shumë kundërsulme dhe lojtarët tanë kryesorë të kenë një mbrëmje fantastike. Çdo gjë mund të ndodhë”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





