
Ashley Cole, një anësor legjendar anglez që u tërhoq nga futbolli në moshën 38-vjeçare, në gusht 2019, u grabit nga hajdutë të maskuar në rezidencën e tij në Fetcham (Surrey), në janar 2020.
Në grabitjen e dhunshme, të ndodhur më 21 janar, deri në gjashtë hajdutë me veshje kamuflazhi dhe maska morën një shumë të madhe parash dhe bizhuterish.
Ish-lojtari i Arsenalit, Crystal Palace, Chelsea, Roma, LA Galaxy, Derby County u lidh në një karrige nga grabitësit dhe ka mbetur jashtëzakonisht i tronditur nga përvoja.
Më shumë se dy vite pas grabitjes, gazeta "The Mirror" shkruan se gjatë grabitjes dhe sulmit në shtëpinë e tij, Ashley Cole ishte lidhur me kabllo nga hajdutët, të cilët e kërcënuan se do t’i prisnin gishtat.
Në gjyqin për grabitjen me dhunë, që po mbahet në Nottingham, konfirmohet se Ashley Cole ishte nën kërcënimin e thikave përballë partneres dhe dy fëmijëve të tyre. Njëri prej hajdutëve iu sugjeroi shoqëruesve të tij që t’i prisnin gishtat.
Prokuroria e cilësoi përvojën që Cole, partnerja e tij dhe dy fëmijët e tyre pësuan si “të dhunshme dhe të ekzekutuar në mënyrë të pamëshirshme”. "Prania e pronarëve të shtëpisë nuk i pengoi këta të pandehur. Ata ishin të armatosur me armë dhe mjete për t’i nënshtruar. Prania e fëmijëve nuk i shqetësoi ata", – tha prokurori Michael Brady.
Pas grabitjes, hajdutët spërkatën duart e Ashley Cole me një lëng që largon erën, në përpjekje për të shkatërruar çdo provë të ADN-së që mund të linin në vendngjarje. Kurtis Dilks është një nga personat e akuzuar për sulmin në shtëpinë e Ashley Cole.
Ai përballet me gjyqin së bashku me nëntë persona të tjerë, që akuzohen se kanë bashkëpunuar në një farë mënyre me grabitjen e dhunshme.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





