Transmetuar më 13-04-2022, 08:27

Ndër temat e nxehta te Bayern Munich është padyshim e ardhmja e Robert Lewandowskit. Kontrata e sulmuesit polak, i cili është te bavarezët që nga vera e vitit 2014, do të përfundojë në qershor 2023.

Megjithatë, një vit para skadimit natyror të saj, thashethemet dhe spekulimet për të ardhmen larg botës së Bayernit po bëhen gjithnjë e më këmbëngulëse. A mund të largohet Lewandowski nga ekipi kampion i Gjermanisë?

“Absolutisht jo”, – thotë drejtori i përgjithshëm i klubit, Oliver Kahn. Pak minuta para fillimit të ndeshjes së Champions League me Villarreal, ish-portieri e mohoi kategorikisht këtë skenar:

"Ne nuk jemi aq të çmendur sa të diskutojmë një transferim për një lojtar që shënon 30 ose 40 gola çdo sezon. Ai patjetër do të qëndrojë me ne edhe një sezon tjetër”. Fjalë që nuk lënë vend për interpretim. Synimi i Bayernit është të vazhdojë, të paktën edhe një vit, me sulmuesin polak.

Sipas medias polake TVP Sport, Robert Lewandowski ka vendosur të veshë fanellën e Barcelonës sezonin e ardhshëm. Qendërsulmuesi i lindur në vitin 1988 ka njoftuar tashmë drejtuesit e Bayern Munich për zgjedhjen e bërë, duke ndërprerë efektivisht punën për rinovimin e kontratës që skadon në vitin 2023.

Prandaj Barcelona do të duhet të negociojë me klubin bavarez për kartonin e lojtarit, i cili vlerësohet rreth 65 milionë euro. Një shifër që katalanasit do të përpiqen ta ulin duke pasur parasysh gatishmërinë e polakut për të lëvizur dhe për të provuar një eksperiencë të re në Spanjë.

Nga ana e tyre, presidenti Joan Laporta dhe zëvendëspresidenti sportiv, Rafa Yuste, dhe drejtori sportiv Mateu Alemany, kanë përsëritur javët e fundit se klubi nuk do të kryejë asnjë operacion që rrezikon financat e tij.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd