Transmetuar më 10-04-2022, 14:19

U kap me disa doza kokainë, vendoset në pranga një shtetas.

Policia e Pogradecit njofton se ka finalizuar operacionin ‘Mesnata’ ku si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit M. M., 25 vjeç, banues në Pogradec dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen D. T., 24 vjeçe, banuese në Pogradec.

Policia kishte informacione se shtetasi i mësipërm ushtronte aktivitetin kriminal të shpërndarjes së drogave të forta.

Shërbimet organizuan kontroll në banesën e tij, në lagjen nr. 1 Pogradec. Si rezultat i kontrollit, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 11 gram lëndë e dyshuar narkotike kokainë dhe një sasi lekësh të prerjeve të ndryshme.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore, rezultoi se 24-vjeçarja, bashkëjetuesja e shtetasit M. M., nuk kishte kallëzuar këtë aktivitet kriminal, në organet kompetente.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Moskallëzimi i krimit".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd