
"Lavdi Ukrainës! Lavdi heronjve!" Kjo është motoja zyrtare e ekipit kombëtar verdheblu, e kontestuar nga rusët kur lufta ishte ende "një çështje private" midis dy kombeve, një konflikt i kufizuar në kufijtë e Krimesë, që bota e injoroi.
Këto ditë kemi parë më shumë se një sportist apo ish-sportist profesionist ukrainas të marrë armën dhe të luftojë pushtuesin. Ndër këta, edhe fituesi i "Topit të Artë", Igor Belanov. Ai e fitoi çmimin prestigjioz në vitin 1986, duke pasuar Michel Platini dhe paraprirë Ruud Gullit.

Ai luajti përballë Gary Lineker dhe Emilio Butragueno, duke përfaqësuar kombin që sot kërkon të zhdukë popullin e tij, ish-Bashkimin Sovjetik.
Në atë kohë, çmimi i "France Football" ishte i rezervuar për lojtarët evropianë, kështu që Diego Maradona, kampion i ri i Botës me Argjentinën, nuk mundi ta fitonte atë. Por konkurrenca ishte ende e ashpër: nga Marco Van Basten, atëherë ende tek Ajax, tek Platini dhe vetë Gullit.

"Topin e Artë" e fitoi sulmuesi i lindur në Odessa në vitin 1960, i cili hodhi hapat e tij të parë te Chornomorets përpara se të transferohej më 1985 te Dynamo Kiev i kolonel Lobanovskit, "zbuluesi" i Andriy Shevchenkos.
Duke folur nga fushë-beteja, Igor Belanov tha: “Kam përfaqësuar me krenari Bashkimin Sovjetik në futboll dhe jam i shokuar nga kjo luftë, ndaj jam bashkuar me luftëtarët e vendit tim. Paqe në Ukrainë dhe lavdi të gjithë atyre që luftojnë invazorët e ardhur për të shkatërruar tokën dhe popullin ukrainas”!
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





