Transmetuar më 08-04-2022, 07:21

TIRANË– Një rast i shitjes së një vile u trajtua në emisioni ‘Stop’ në Tv Klan. Emisioni denoncoi rastin e një përmbaruesi privat i cili, pa njoftuar pronarin e kësaj prone, kreu veprimet për një shumë të vogël parash.

Stop transmeton se ka evidentuar të gjitha shkeljet e bëra në këtë rast nga përmbaruesi por edhe ekspertja e vlerësimit të pronës. Përmbaruesi Besnik Bajraktari në bashkëpunim me eksperten private Albana Beqiri, nuk i është referuar çmimit të referencës, por ka nxjerrë vilën në shitje me çmim shumë herë më të ulët se sa tregu.

“Stop” u përpoq të kontaktonte me zonjën Beqiri, por ajo u justifikua se nuk mund të japë informacione për shkak të sekretit profesional.

Ekspertja Albana Beqiri: Unë nuk mund të shpreh, nuk mund të flas për punën e klientëve. Nuk mund të flas me gazetarë, është.., ruhet privatësia, kështu që të lutem mos më ver në siklet! Nuk mund të shprehem! Duhet ta ruaj këtë etikë! Të lutem! Rezervoj të drejtën, për t’u shprehur! Të lutem!

Nga ana tjetër ajo telefonoi menjëherë përmbaruesin, për të negociuar që ajo të mos bëhej pjesë e investigimit, edhe pse është në shkelje flagrante.

Përmbaruesi Besnik Bajraktari: Dëgjo tashi! N’daç inçizo, n’daç mos inçizo! Bëj ça të duash! Problemi është këtu. Nxorra këtë aktin e vlerësimit, se u shqetësu shumë ajo shoqja. Ka bërë një vlerësim shumë të saktë, me dy metoda, por ajo është edhe motra e një prokurori, i një njeriut kështu…edhe m’u lut “aman-derman”. Bëj ça të duash ti, emri im mos të dali! A më kupton? Ta kërkova këtë, çdo gjë, që të dali është përgjegjësi e imja, është akti i vlerësimit, që ka bërë ajo, e ka bërë me dy metoda, e ka dhënë dhe metodën, si ke thënë ti, me referenca të dyja. Unë kam marrë metodën, sepse prona ka patur probleme dhe është një vendim unifikues i Gjykatës së Lartë, që kur pronat janë me probleme, merret metoda e kostos për bazë edhe ne ju kemi referuar. Po gjithsesi, kur merret në konsideratë ajo, merret në.., unë vendos si përmbarues gjyqësor, pavarësisht, se vlerësimin e bën një ekspert, caktimin e çmimit e bëj unë.

Ndërsa avokati Dritan Shehaj thotë për Stop se ekspertja nuk ka shkuar asnjëherë tek vila për të bërë vlerësimin e pronës.

“Eksperti nuk është paraqitur në asnjë rast pranë banesës së debitorit sepse eksperti duhet të vejë të vlerësojë gjendjen, kushtet. Po flasim për një shtëpi 2-katëshe e cila është ndërtim 260 metra katrorë dhe truall 300 metër katrorë dhe vlera e parë që ka dalë sipas ekspertit është 77 milionë Lekë të vjetra në mes të Tiranës. Kjo është tërësisht qesharake. Të gjitha këto akte që po themi, vlerësimi i kryer nga eksperti duhet t’i ishte komunikuar debitorit, nuk ka ndodhur”, thotë avokati Shehaj.

Lidhur me këtë rast, kujtojmë se prokuroria është duke e hetuar zyrtarisht përmbaruesin e privat Besnik Bajraktari lidhur me aktet që ai ka kryer. /tvklan.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd