
"K9 është Spiderman". Nëpërmjet Twitter, Iker Casillas lartësoi Karim Benzema, yllin e Chelsea-Real Madrid 0-1, i cili shënoi tre gola në çerekfinalen e parë të Ligës së Kampionëve, në “Stamford Bridge”, kundër kampionëve të Europës në fuqi. Më tej, ish-portieri i shquar spanjoll nuk i kurseu lavdet për 34-vjeçarin francez:
"K9 është Wolverine (Lobezno). K9 është portieri i kalasë suaj. K9 është shoku juaj më i mirë. K9 është gjyshja juaj. K9 është presidenti i Shteteve të Bashkuara. K9 është siguresa kur hidhesh me parashutë. K9 është engjëlli yt mbrojtës. K9 është Zoti!"
Edhe figura të tjera të njohura kanë “shenjtëruar” sulmuesin francez të Real Madridit, pas provës së mbrëmshme. Rio Ferdinand siguroi: “Karim Benzema është 9 më i mirë në botë. Ai e ka vendosur ekipin ku luan në udhëheqjen e La Liga-s. Real Madridi po fluturon, ndërsa ai është hajmalia.
Kur Cristiano Ronaldo ishte në Madrid, Benzema kishte përulësinë për të marrë një rol dytësor, sepse e dinte se ishte më mirë për ekipin. Tani ka dalë nga hija. Ai është 34 vjeç, por mbetet ‘9’ më i mirë në botë. Karim është në një nivel tjetër, gola, asistime, kombinon, i jep ritëm ndeshjes”.
Steve McManaman, ish-lojtar i Real Madridit, shtoi: “Përvoja e Benzema është gjithçka. Sa herë që ai hidhet në fushë duket sikur do të shënojë. Lëvizjet e tij janë shumë inteligjente".
Fabio Capello e krahasoi Benzema me mitin më të madh në historinë e Real Madridit: “Ai është një sulmues total, që më kujton Di Stefanon, i cili mund të mos u thotë asgjë të rinjve, por për ata që e kanë parë, futbolli i tij thotë shumë. Ai merr pjesë në krijimin e lojës, shënon gola të mëdhenj dhe është lider në fushë. Për Ancelottin është njeriu kyç".
Patrice Evra foli me të njëjtat fjalë lavdëruese: "Jam shumë i lumtur për të. Nuk është vetëm për golat, ai e ka këtë ekip në dorë. Karim është një makinë lufte, ka përulësi. Luajti një ndeshje të mrekullueshme sonte”.
Karim Benzema bëhet lojtari i parë, pas Cristiano Ronaldos, që shënon kaq shumë "hat tricks" në fazat me eliminim direkt të Ligës së Kampionëve. Kujtojmë se ishte duke agjëruar dje për shkak të Ramazanit, megjithatë shënoi tre gola. E meriton plotësisht një "Top të Artë"!
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





