Transmetuar më 05-04-2022, 11:05

Sali Berisha ka reaguar për triumfin e radhës të Aleksander Vuçiç në zgjedhjet e fundit në Serbi. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, lideri historik i demokratëve ka nënvizuar: “Të dashur miq, fitues i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare që u mbajtën të dielën e kaluar ishte ultranacionalisti Aleksander Vuçiç dhe ky ishte një lajm jo i mirë për Serbinë, opozitën e saj dhe mbarë rajonin tonë. Kjo sepse:

1- Vuçiç është një ultranacionalist serb i rrezikshëm, që punon për projektin e Serbisë së Madhe.

2- Nën sundimin e tij, Serbia mbetet gjithnjë si Rusia e Vogël në rajon. Lidhjet e tij me Putinin janë një kërcënim serioz për paqen në rajon.

3- Aleksander Vuçiç si ish-bodiguard i Sheshelit dhe ministër i propagandës së Millosheviçit nuk ka dënuar krimet monstruoze të Sllobodan Millosheviçit, genocidin e tij në Bosnje dhe Kosovë. Përkundrazi, ai i thur lavde në çdo rast shefit të tij. Sipas tij, Sllobo ishte një udhëheqës i madh. Kjo tregon se ai është i gatshëm të ripërsërisë krimet e tij monstruoze.

4- Së fundi, ai është një manipulator i pamëshirë i minoritetit serb në Kosovë, i cili është minoriteti që gezon të drejta njerëzore dhe kombëtare më shumë se çdo tjetër në rajon dhe më gjerë.

5- Makineria e tij elektorale, njëlloj si e vasalit në Tiranë, Edi Rama, bazohet në parimet antidemokratike të partisë-shtet, në bandat e bjellivukve, klientelën e oligarkëve dhe dhunimin e opozitës.

Për të gjitha këto, rezultatin e zgjedhjeve në Serbi e kanë mirëpritur shumë diktatori gjaksor i Moskës, Vladimir Putin, dhe Edi Rama, argati i Vuçiç. Shefi i narkoshtetit të Tiranës do të ishte i pari që do t’i uronte fitoren padronit të tij”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd