
Pavarësisht 7 pikëve të marra në 7 ndeshjet e fundit të kampionatit dhe kreut që është larguar, Simone Inzaghi vazhdon të besojë tek Interi i tij. Ai mendon se ndeshja e nesërme kundër Juventusit mund të jetë pika e kthesës.
Inzaghi, çfarë ndeshje do të jetë nesër?
Shumë e rëndësishme dhe nuk mund të kishte një ndeshje më të mirë për t’i dhënë një sinjal të fortë mjedisit dhe vetes.
Si e keni parë Brozovicin këto ditë?
Të gjithë e dimë rëndësinë e Brozovic. Marcelo është themelor në rolin e tij, na ka munguar shumë dhe sot bashkë me De Vrij do të stërviten me të tjerët. Fakti që ndodhet me ne na lumturon, është një rikuperim kyç.
Çfarë motivesh keni parë tek djemtë?
Ne kemi qenë të gjithë bashkë vetëm dy ditët e fundit. Na takon që me zemërim dhe karakter të bëjmë më shumë. E dinim se ku ishim një muaj e gjysmë më parë, pastaj humbëm pozicione dhe pikë. Me garë, agresivitet dhe vetëdije do të duhet të luajmë kundër një kundërshtari të vështirë. Na nevojitet një lojë plot karakter.
Pse patët këtë ngadalësim, vetëm 7 pikë në 7 ndeshje?
Të gjitha skuadrat kryesore i kanë kaluar këto momente të vështira. Ngërçi ynë përkoi me përballjen e dyfishtë me Liverpool-in dhe derbin e humbur. Do të kisha firmosur për të qenë në këtë pozicion, me një Superkupë të fituar, shkuarjen në 1/16 të Champions League, gjysmëfinalen e Kupës së Italisë dhe një nga katër vendet e para në Serie A. Ky ishte objektivi i fillimit të sezonit.
Çfarë prisni në Torino?
Rezultatin pozitiv, sepse përsa i përket performancës, shifrat e fundit na tregojnë se kemi krijuar shumë. Ka zhgënjim me rezultatet dhe tani duam të marrim pikë. Na presin 9 finale dhe e nesërmja është më e vështira për ne.
A po përgatiteni për lojë ndryshe nga zakonisht?
Juventus-Inter është derbi i Italisë dhe ndihet thellë. Duhet një paraqitje e shkëlqyer, por më pas do të kemi edhe 8 ndeshje të tjera; pra shumë pikë për t’u rrëmbyer.
A ndjeni shumë negativitet rreth Interit?
Kritika është pjesë e profesionit tonë dhe duhet pranuar. Unë kam inteligjencën për të dalluar kritikat konstruktive nga ato të ndërtuara me mjeshtëri. Këto të fundit nuk i marr parasysh.
Interi arrin në Torino me titullin në gjoks. A mund të peshojë?
Përtej titullit në gjoks, ne u përballëm me Juventusin në finale e Superkupës dhe fituam. Nesër sfidojmë një ekip që është në moment të shkëlqyer, të kthyer në pozicionin ku e meriton.
A ka ndonjë lojtar të Juventusit që e keni frikë veçanërisht?
Ne e njohim mirë Juven. Në janar, me Vlahovic dhe Zaharia bëri investime të rëndësishme dhe u përmirësua. Juventusi ishte një skuadër e madhe qysh më parë, por tani me Vlahovic është forcuar edhe më shumë. Përpara ka sulmues për t’u mbajtur në qendër të vëmendjes.
Conte vendosi të largohej përballë vështirësive ekonomike të klubit. Pas tre muajsh çfarë do të bëni, nëse ka ende vështirësi të këtij lloji?
Ne trajnerët varemi nga rezultatet dhe performanca. Isha i lumtur që trashëgova një ekip, i cili kishte fituar titullin, por kishte humbur dy elementë të rëndësishëm (hakimi dhe Lukaku). Puna e madhe e bërë me stafin tim ngriti pritshmëritë për Interin. Edhe pse jemi në garë për gjithçka, kritikat kanë ardhur. Tani le të përpiqemi ta përfundojmë sezonin si një ekip i madh.
Çfarë menduat kur Allegri përsëriti se Interi është favorit për titullin dy javë më parë?
Mendoj se ka shprehur mendimin e tij, si më parë. Me të ka respekt maksimal të ndërsjellë. Ideja e secilit mund të shprehet pa probleme.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





