Para se të dimë në brendësi rreth Ramazanit, nevojitet së pari të kuptojmë mirë domethënien e fjalës “Ramazan”.
E para: Fjala ‘Ramazan’, përmban kuptimin ‘shiu i vjeshtës’. Gjërat e papastra që janë përhapur dhe mbledhur muajin e verës, si mbeturinat dhe plehrat e ndryshme, nga nxehtësia e madhe në këtë stinë marrin një erë jo të këndshme dhe me kalimin e kohës fillojnë të prishen duke lënë një mjedis të shëmtuar dhe infektues.
Të gjitha këto fenomene jo të këndshme pastrohen nga shiu i vjeshtës, që Allahu i madhëruar i dhuron njerëzimit. Kemi shumë gjynahe të kryera me apo pa dashje.
Këto na e kanë ndotur jetën tonë shpirtërore, zemrën tonë, ndjenjat tona, mendjen tonë. Është begatia dhe shiu i mëshirës së muajit të shenjtë të Ramazanit që na pastron nga këto ndotësira.
Në një hadith në lidhje me namazin dhe abdestin, Profeti ynë i dashur (salallahu alejhi ve selem) i thotë shokëve të tij: “Nëse ju do të laheshit pesë herë në ditë në një lum që kalon përpara shtëpisë suaj, a do të mbeste gjë jo e pastër tek ju? Shokët e tij iu përgjigjën: Jo, o i dërguari i Allahut. E pra, kështu janë dhe pesë kohët e namazit” (Muslim, Mesaxhid, 284; Darimi, Salat; Muvatta, Sefer, 91), – tha Rasulullahu (salallahu alejhi ve selem).
Namazi pastron edhe zemrën, e cila është qendra e botës shpirtërore, nga ndotësirat e gjynaheve. Ndërsa muaji i Ramazanit përmban pesë herë hyrjen në lum. Fillimin e ka mëshirë, mesin falje, ndërsa fundin shpëtim nga zjarri i xhehenemit.
Nëse do e vlerësonim këtë muaj të shenjtë me agjërim dhe falje të namazeve, duke përfshirë teravihet, tehexhudin dhe nafilet, shpirti ynë do të bëhej i pastër si bardhësia e pëllumbave. Sepse nuk duhet harruar edhe domethënia e një shiu vjeshte të këtij muaji të shenjtë, plot mëshirim për njerëzit. Duhet falenderuar Allahu i madhëruar që na dhuron diçka të tillë. Pra, Ai e di se ne jemi të dobët dhe se mund të bëjmë gjynahe. Ai jo vetëm që pranon lutjet dhe pendimet tona, por na dhuron një okazion kaq të madh, siç është muaji i Ramazanit.
E dyta: Një kuptim tjetër i muajit të shenjtë të Ramazanit është dhe ky: Arabët, kohës kur nxehtësia e gushtit ndikon shumë mbi tokën, i thonë ‘Ramida’. ‘Ramazan’ vjen nga fjala ‘Ramida’, dmth. me gjithë nxehtësinë e tyre rrezet e diellit djegin tokën dhe gurët.
Një domethënie tjetër e fjalës Ramazan, është djegës, përvëlues. Ne inshallah me këtë okazion që na jipet nga Allahu i Madhëruar, do të djegim dhe pastrojmë të gjitha gjynahet që kemi kryer gjatë një viti. Ato gjynahe do shkrihen dhe ne shpirtërisht do të sterilizohemi nga ato të ndotura që kanë rrethuar shpirtin tonë.
E treta: Një kuptim tjetër të Ramazanit, e marrim nga hadithi i të dërguarit të Allahut (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të). Profeti ynë i nderuar thotë: “Kur të vijë muaji i shenjtë i Ramazanit mos thoni që ‘Erdhi Ramazani, iku Ramazani’. Sepse ‘Ramazan’ është një nga emrat e Allahut (xh.sh.). Dhe në ajetin e shenjtë nuk thuhet ‘Ramazan’, por ‘Shehru Ramadan’ {Muaji i Ramazanit}” (Buhari, Iman, 28, Saum 6; Muslim, Sijam, 204). Meqenëse është një nga emrat e Allahut, Ramazani merr një domethënie tjetër.
Shkëputur nga libri “Ditët dhe netët e mira në Islam”
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd