
Top Channel ka reaguar pasi në rrjet qarkulloi njoftimi se është mbyllur Top Story dhe emisionet e fundit do të transmetohen në media të tjera.
"Emisioni nuk është mbyllur. Ka lindur në tetor të 2006, jo në 2018. Javën e ardhshme kthehet ku i takon. Emisioni nuk do të mbyllet por do të jetë me drejtim të ri dhe me misionin e së vërtetës dhe jo të gjobave", u tha në edicionin e lajmeve.
Më parë, në reagimin e stafit të emisionit që kishte reaguar me një postim në faqen zyrtare të Facebook që tashmë është mbyllur, shkruhet po ashtu se është kryer anulimi i transmetimit të emisionit të përgatitur nga Top Story: ‘Oligarkët e Rilindjes Urbane’, në mënyrë të pashpjegueshme.
Ky investigim nxirrte në pah problemet, abuzimet dhe korrupsionin në ndërtimin e qendrave të qyteteve në 8 vitet e fundit.
Njoftimi nga TCH: Përzumë gjobaxhinjtë/ Emisioni investigativ vazhdon me emër dhe mentalitet tjetër, Top Story rikthehet në “prime time” politik
Pak kohë më parë, redaktori i emisionit investigativ, Top Story dhe disa elemente të tjerë, u është ndërprerë marrëdhënia e punës, për shkak se janë gjetur në shkelje të kontratës së punës dhe në cenim të imazhit të televizionit.
Ekipi ligjor i Top Channel është duke përgatitur dosjen përkatëse, për t’jua përcjellë autoriteteve, për të nxjerrë përgjegjësitë ligjore dhe dëmin që i është shkaktuar kompanisë nga këta individë, të cilët kanë përdorur profesionin dhe emisionin, si mjet gjobash dhe kërcënimesh, duke keqpërdorur edhe donacione të huaja.
Sot, këta individë ose më saktë njëri prej tyre, Endrit Habilaj, i cili ka akses në faqen e emisionit në Facebook, ka lëshuar një tjetër shpifje në drejtim të Top Channel.
Se mbrëmë është hequr një emision i tyri. Në fakt është hequr një material i cili ashtu si dy tre javët e fundit, ishte lënë për t’u transmetuar në mirëbesim dhe jashtë kontrollit editorial të Top Channel.
Por kur bordi shqyrtoi materialet dhe vuri re shkeljet e rënda etike dhe profesionale, mori vendimin e mos transmetimit të kësaj gjobe, vënë në emër të dy personave që dikur punonin në Top Channel, dhe jo në interes të së vërtetës. Emisioni nuk është mbyllur. Top Story si emër nuk ka lindur në vitin 2018, atëherë kur u mor dhe u transformua ashtu siç është sot. Top Story ka lindur në tetor të vitit 2006 dhe për 11 sezone ishte emisioni më i suksesshëm politik në ekran.
Javën e ardhshme Top Story do rikthehet aty ku i takon, në “prime time” në orën 21:00.
Emisioni investigativ që mbajti këtë emër për tre vjet, nuk do të mbyllet. Ai do të vazhdojë që javën tjetër. Me emër të ri, me drejtim të ri.
Njoftimi i Top Story në Facebook që më pas u zhduk:
Top Channel mbyll Top Story!
Me keqardhje njoftojmë publikun, se emisionit investigativ TopStory, i duhet të ndërpresë transmetimin në televizionin kombëtar Top Channel. Ditën e djeshme, e mërkurë 30 mars 2022, në mënyrë të pashpjegueshme, është njoftuar stafi për anulimin e emisionit me temë “Oligarkët e Rilindjes Urbane”, edhe pse promo kishte tre ditë që ishte transmetuar në Top Channel.
Ky investigim nxirrte në pah problemet, abuzimet dhe korrupsionin në ndërtimin e qendrave të qyteteve në 8 vitet e fundit. Në fakt prej disa muajsh, stafi i Top Story është ndjerë nën presion nga drejtuesit, duke nisur që në mënyrën e trajtimit të temave, largimin nga detyra të autorit të emisionit, ndëhyrjet në linjën editoriale, e deri në censurimin e emrit të emisionit”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





